Politike

Rama: Do paguhen 1000€ mbi pagën ata që janë në vijën e zjarrit

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka reaguar për gjestin e stafit mjekësor në Lezhë që refuzoi shpërblimin 5 mijë lekë, pasi pretendonin se duhet të merrnin 1 mijë euro.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama shprehet se pagesë mbi pagën do të marrin vetëm ata që janë në vijën e zjarrit dhe jo ata që janë brenda detyrës në territorin e tyre.

“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë!”, shkruan kreu i qeverisë.

Po ashtu kryeministri e konsideron këtë si një nxitje nga jashtë për kërkesa shpërblimi dhe i bën thirrje mjekëve dhe infermierëve mos bëhen masha politike duke cenuar misionin e shenjtë.

“Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cënon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim!”, thotë kryeministri Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1247460215022288896

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë