Politike

Rama dekoron Bill Klinton me Yllin e Mirënjohjes: T’i japim presidentit një mirëseardhje shqiptare

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton pritet të vizitojë Tiranën në datat 3 dhe 4 korrik, me ftesë të kryeministrit Edi Rama, kohë kjo që përkon edhe me festimet e ditës së pavarësisë së SHBA.

Klinton do të mbajë një deklaratë për mediat. Por para saj, të hënën pritet që ndaj tij të zhvillohet ceremonia e akordimit të Kordonit të Madh me Yll të Mirënjohjes Publike me nderimet më të larta shtetërore.

Klinton konsiderohet faktor vendimtar në fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, që detyroi presidentin e atëhershëm Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër Kosovës, e cila përfshinte spastrime dhe vrasje masive etnike të civilë shqiptarë të Kosovës.

Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes pakicës serbe dhe qeverisë së Kosovës.

Vetë Rama është shprehur se presidentit amerikan do t’i rezervohet një mirëseardhje shqiptare.

“Do t’i bëjmë një mirëseardhje shqiptare, do t’i japim mundësinë të njohë pak nga Tirana. Do të kemi një event publik përpara Kryeministrisë në mbrëmjen e datës 3 në orën 19:00. Ai do të flasë do të mbajë një fjalë përpara qeverisë, pastaj do të dalë nga aty dhe do të kemi shumë të ftuar”, tha kreu i qeverisë.

“Unë e kam ftuar presidentin Klinton prej disa kohësh, kjo është një vizitë e planifikuar dhe e parashikuar prej disa kohësh, të cilën e kemi mbajtur sekret vetëm për ndonjë arsye të ndonjë befasie që mund të ishte agjenda e Presidentit amerikan dhe takimi është një takim për të bërë të mundur prezantimin me Shqipërinë të Presidentit Klinton”, tha kryeministri.

Ai nënvizoi gjithashtu se ftesa për të vizituar vendin tonë i është bërë disa vite me parë, por vetëm se fundi janë krijuar mundësitë për realizimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë