Kosova

Radoiçiç konfirmon organizimin e sulmit në Banjskë: Përgatita gjithë logjistikën kundër regjimit të Kurtit

Nga Gazeta ‘Si’-Milan Radoiçiç ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për sulmin e asaj dite.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviç për publikun nga Beogradi.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka shkruari ai.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiçit, ka thënë se për veprimet e tij, ai nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk ka pranuar "ndonjë ndihmë" prej tyre.

Radoiçiç ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”, dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.

“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ulje shtensionim, dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar qetësimin tonë të situatës si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për negociatat, por si dobësi”, është thënë mes tjerash në letër.

Radoiçiç i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Në letër, Radoiçiç ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

I pyetur se nga kanë ardhur të gjitha armët dhe pajisjet e përdorura në aksionin e 24 shtatorit, avokati ka thënë se nuk mund të flasë se çfarë do të kishte thënë Radoiçiç pas do të ketë bisedime për këtë gjë me autoritetet kompetente të Serbisë.

Ai ka thënë, mes tjerash, në letër se do t'i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë.

Avokati i tij e ka mohuar se Radoiçiç është plagosur në Banjskë apo që është trajtuar në spitalin ushtarak në Beograd. Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës - të banuar me shumicë serbe - kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Kjo është hera e parë që Radoiçiçi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.

Radoiçiç është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë