Katar 2022

Radha për dy grupet e fundit, sot në fushë Brazili dhe Portugalia

Gazeta Si – Me ndeshjet e grupeve G dhe F mbyllet sot xhiroja e parë e ndeshjeve në grup në Botërorin e Katarit. Turneu ka rezervuar deri tani jo pak surpriza, me Argjentinën dhe Gjermaninë që kanë zhgënjyer. Sot prezantimi i Brazilit pretendent dhe Portugalisë së Kristiano Ronaldos.

Ndeshjet e sotme nisin me sfidën Zvicër-Kamerun të Grupit G. Xhaka dhe Shaqiri duan të jenë sërish protagonistë, sidomos i pari, me shiritin e kapitenit në krah. Pastaj programi vazhdon me Uruguai-Kore e Jugut.

Ronaldo luan Boterorin e fundit. Gazeta Si, 24 nentor 2022

Portugalia ndeshet me Ganën, në orën 17:00. Kristiano Ronaldo, 37 vjeç, edhe pse ka pasur jo pak probleme kohët e fundit dhe aktualisht është pa skuadër, ka si qëllim të lërë shenjën e fundit në futbollin e madh. Portugalia e tij është një skuadër mjaft e fortë, pse jo pretendente për titullin.

Pretendent më i fortë është Brazili, që zbret në fushë në orën 20:00 për t’u ndeshur me Serbinë. Duke parë zhgënjimet e disa skuadrave të mëdha, sidomos Argjentinës, ekipi i Tites ka fituar më shumë kuota për të ngritur lart trofeun.

Me yje si Nejmar, Vinicius dhe Rafinja, por edhe me lojtarë me shumë përvojë, si Kasemiro, Markinjos, Tiago Silva dhe portieri Alison, Brazili duket se ka grupin e duhur për t’u shpallur kampion bote për herë të 6-të në histori.

Ndeshjet e sotme
Zvicër-Kamerun (11:00)
Uruguai-Kore e Jugut (14:00)
Portugali-Ganë (17:00)
Brazil-Serbi (20:00)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë