Futboll

Racizëm në Islandë, kombëtarja turke keqtrajtohet në aeroport

Ndeshja e ditës së martë në Rejkjavik mes Islandës dhe Turqisë, e vlefshme për grupin H të eliminatoreve të kampionatit europian, rrezikon të kthehet në një mollë sherri për të nisur një përplasje diplomatike mes dy vendeve. Gjithçka ka të bëjë me trajtimin që iu është bërë futbollistëve të kombëtares turke, në momentin e mbërritjen e aeroportit islandez. Sipas disa intervistave të lojtarëve turq, sulmuesit Burak Yilmaz dhe kapitenit Emre Belozoglu, ekipi ka pritur të paktën tre orë pas uljes në terminal për kontrollet e pasaportave, ndërsa bagazhet e lojtarëve ishin hapur dhe kontrolluar me pretendimin për arsye sigurie, por këto të pa specifikuara.

Por problemet dhe polemikat me këtë prag ndeshje nuk janë ndalur me kaq, pasi një burrë rreth të 30-ve, me pretendimin se ishte gazetar, në momentin që Emre ishte duke folur për mediet lokale, i ka drejtuar atij një furçë si një lloj mikrofoni. Ky gjest ka sjellë irritimin e mesfushorit veteran të Turqisë.

Por jo vetëm futbollistët, pasi mëngjesin e kësaj të hënë ka reaguar edhe vetë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushogllu. Sipas tij ajo që ka ndodhur në Islandë nuk ka asnjë lidhje me mikpritjen dhe sensin human të pritjes së sportistëve. “Askush mos të dyshojë se ne nuk do të bëjmë atë që është e nevojshme",- paralajmëroi Cavushogllu, duke njoftuar një telefonatë me homologun e tij në Rejkjavik.

https://twitter.com/totemleturkiye/status/1138005604109291520

Më tej mediet turke bëjnë me dije se Turqia brenda kësaj të hënë do të nisë dhe një notë proteste nëpërmjet ambasadës së Ankarasë në Norvegji, e cila mbulon edhe Islandën. Reagime të forta kanë ardhur edhe rrjetet sociale, ku pritja islandeze është quajtur "raciste", teksa foto e furçës që i është drejtuar Emre është bërë virale. Turqia dhe Islanda janë në grupin H eliminator të kampionatit europian bashkë me Francën, Shqipërinë, Moldavinë dhe Andorrën. Pas tre ndeshjeve të para Turqia është e para me 9 pikë, duke lënë pas Francën dhe Islandën me nga 6 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë