Kosova

Qytetarët e Veriut të Kosovës vazhdojnë të vaksinohen në Serbi

Që nga fundi i vitit 2020, mijëra qytetarë serbë të Kosovës janë vaksinuar në Serbi. Në Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, i cili është pjesë e sistemit shëndetësor të Serbisë, thonë se qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, vaksinohen në Rashkë, ata nga rajoni i Anamoravës (Gjilan, Kamenicë, Viti) shkojnë në Bujanoc, ndërkaq qytetarë të tjerë nga Kosova shkojnë edhe në Kurshumli.

“Deri më tani në këto qytete kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, rreth 24.000 serbë nga Kosova, ndërkaq që dozën e dytë e kanë marrë 22.500 persona”, thuhet në përgjigje.

Vaksinimin e qytetarëve serbë të veriut në Serbi, e ka konfirmuar edhe zëvendëskryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhic.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se vaksinimi i nisur në Prishtinë, nuk ka filluar në veri të Kosovës, pasi sipas saj, qytetarët e kësaj pjesë të Kosovës, janë vaksinuar me vaksinat e siguruara nga Qeveria e Serbisë.

“Në veri, unë me sa e di qytetarët janë vaksinuar në Rashkë, përmes spitalit i cili po funksionon në veri. Qytetarët e veriut në përgjithësi kanë shkuar andej (në Serbi), nuk ka pasur vaksinim në vend (në Kosovë)”, tha Hoxhic.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë të Kosovës lidhur me procesin e vaksinimit, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me vaksinimin e qytetarëve në komunat në veri të Kosovës, që janë me shumicë serbe.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thonë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dështuar në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, ka propaganduar për fillimin e vaksinimit në masë. Ai tha se aktualisht Kosova nuk ka vaksina të mjaftueshme.

“Deri më tani Kosovës i janë dhuruar donacion rreth 180 mijë vaksina, derisa janë vaksinuar mbi 118 mijë qytetarë. Pra, në stok janë më pak se 60 mijë vaksina dhe me më pak se 60 mijë vaksina nuk mund të pretendohet që të ketë vaksinim në masë. Por, me propagandë dhe me reklamë nuk bëhet vaksinimi, por me vaksina dhe me punë konkrete”, tha Haxhiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë