Ekonomi

Qeveria transaksione virtuale, asgjë e qartë për Kampusin Universitar

Sabina Veizaj - Më tre korrik 2018 kryeministri Rama do të publikonte në llogarinë e tij në Facebook me entuziazëm projektin e rrugës Thumanë-Kashar. “Me projektin e rrugës së re Thumanë - Fushë-Krujë - Kashar, pjesë e Programit Kombëtar “1 Miliard për Rindërtim” (Shpejtësia e projektuar 140 km/h, 14 nënkalime, 34 rrugë dytësore, 12 ura dhe 3 mbikalime), e cila do të lidhë me infrastrukturë moderne veriun e Shqipërisë e Kosovës me aeroportin “Nënë Tereza” e me Portin e Durrësit dhe tanimë është në fazën finale të përgatitjes për zbatim, ju uroj një ditë të mbarë”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155929274186523/

Një projekt i rëndësishëm në optikën e qeverisë shqiptare pak muaj më parë që sot zëvendësohet me një projekt akoma më të rëndësishëm siç është artikuluar nga vetë kryeministri dhe anëtarë të tjerë të kabinetit, me Kampusin Universitar dhe produkte të tjera infrastrukturore për studentët në kuadër të Paktit për Univeristetin.

Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

“Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe ne jemi duke studiuar përfshirjen e tij: në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë – Durrës ku bën pjesë edhe rindërtimi i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa në Fazën e parë si dhe ndërtimi i rrugës Kashar – Rrogozhinë në Fazën e dytë”, do të thoshte të hënën në daljen e saj të parë publike Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balliku duke shpjeguar se “ideja është që Kashar-Rrogozhinës t'i shtohet dhe aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë në Tiranë nga veriu, qoftë një lidhje shumë më të shpejtë midis veriut dhe jugut gjatë sezonit turistik.”

Por, “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u tërhoq nga partneriteti Publik Privat për Aksin Thumanë-Kashar dhe fondet e parashikuara i kalojnë Paktit për Universitetin”, do të përmblidhte në një fjali ministrja Balluku.

Po atë pasdite, opozita do të akuzonte në sallën e parlamentit se qeveria nuk ka parashikuar fond në buxhetin e 2019-ës për Thumanë-Kashar e, si rrjedhojë, nuk ka se çfarë fondi t'i kalohet Ministrisë së Arsimit.

Për të sqaruar më tej çështjen e transferimit të prioritetit prej 225, 8 mln lekësh, shuma e projektit Thumanë-Kashar me të cilin fitoi "Gener 2", foli Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht edhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali.

Ndryshe nga Ministrja Balluku një ditë më parë, Spiropali nuk foli për fonde, por për hapësirë fiskale. (Kuptimi: Hapësira fiskale është fleksibiliteti i një qeverie në zgjedhjet e saj të shpenzimeve dhe, në përgjithësi, në mirëqenien financiare të një qeverie. Një vend në buxhetin e qeverisë që lejon atë të sigurojë burime për një qëllim të dëshiruar pa rrezikuar qëndrueshmërinë e pozicionit të saj financiar ose stabilitetin e ekonomisë.)

Elisa Spiropali, Ministrje për Marrëdhëniet me Parlamentin

Ministrja Spiropali pranoi që në buxhetin e shtetit për 2019-ën nuk ishte parashikuar një fond i mundshëm për Thumanë-Kashar duke shpjeguar se “Konkretisht procedura Thumanë-Kashar ishte në fazën finale të kalimit në qeveri dhe do të niste puna menjëherë me fondet e subjektit privat. Deri kur të arrinte përqindja e punimeve të parashikuara në kontratë nuk do të merrte asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Po rruga Milot Balldren është në tabelë? Jo. Nuk ka fonde të parashikuara në 2019-ën. Po rruga Orikum-Llogara? Jo. Nuk ka fonde të parashikuara në buxhetin 2019 për të dy rrugët dhe Thumanë-Kashar.

Këto dy rrugë do të nisin të ndërtohen shumë shpejtë se procedurat kanë përfunduar dhe do të ndërtohen deri në masën e parashikuar me fondet 100% të kompanisë. Shteti do të hyjë me kontributin e tij vit pas viti sipas kalendarit financiar të përcaktuar. Tre vjet nga nisja e punimeve do të kemi Rrugën e Arbrit dhe pagesat do të bëhen në 13 vjet e kështu me radhë”, tha Spiropali. Sipas saj, anulimi i procedurës për projektin Thumanë-Kashar nuk ka pasojë juridike, por përkundrazi, ka pasoja të shumta pozitive. “Një fond i tillë është më mirë i shpenzuar për çështje të universitetit se sa për atë rrugë.”

Pra transferimi i hapësirës fiskale në këtë rast do të thotë një tender i ri për shumën fillestare 245 mln lekë për Kampusin Universitar dhe produket të tjera infrastrukturore universitare në kuadër të Paktit për Universitetin të përgatitur në funddhjetor si pasojë e protestës studentore.

Por projekti për një kampus të mundshëm universitar në Tiranë e ka gjenezën në vitin 2009 teksa Rama në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës, luftonte për mandatin e katërt për të qeverisur kryeqytetin dhe përballë kishte liderin e sotshëm të opozitës, Lulëzim Bashën.
Tek bashkia prezantonte projektin, shpjegonte se ideja do të forcohej në dy vendndodhje, më konkretisht në 2 polet që fuqizojnë Tiranën: Universiteti Kamëz me drejtimin “Mjedis-agrobiznes-shërbime” dhe Kampusi i ri i Tufinës, me drejtimin “Ekonomi-Teknologji-Inovacion”. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë në atë kohë, ideja për ndërtimin e këtij kampusi ka lindur nga Plani i ri Rregullues në vitin 2008, kur ka pasur zanafillën, e më pas është zhvilluar te Korniza Strategjike për Reformën në Arsim të Bashkisë së Tiranës në vitin 2009, në këtë projekt zhvillimi të kampusit të ri në vitin 2010.

Ndërsa përfitimet e këtij projekti, do të shtrihen në zonën përreth Tufinë-Allias-Paskuqan. Sipas Bashkisë, vendosja e kampusit në këtë pjesë të qytetit, do të rriste prezencën e një komuniteti të ri studentësh, akademikësh, organizatash dhe kompanish të biznesit, në pjesën veri-lindore të qytetit, duke sjellë kështu një zhvillim të padiskutueshëm për zonën përreth.

Kampusi universitar prej idesë virtuale të ndërtimit në 2010 u bë kal beteje i çdo fushate elektorale për fitoren e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore pasardhëse.
Teksa në 2015-n u hap konkursi për Kampusin, me pjesëmarrjen e disa ekipeve të huaja dhe shqiptare. Në atë konkurs doli fitues ekipi me arkitekt Pier Paolo Tamburelli që Kryeministri Rama e prezantoi pak ditë më parë në një takim me studentë në Qytetin Studenti.

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit të Kampusit Universitar

“Unë e kam shtruar me kancelaren gjermane kërkesën që sot na ka dhënë mundësinë të kemi financimin e Bankës Gjermane për Zhvillim, për ndërtimin dhe rindërtimin e konvikteve. Ndërkohë jam shumë falënderues, – do ta bëjmë në mënyrë edhe më ceremoniale këtë, – atyre sipërmarrësve që me shumë sens qytetarie, përgjegjësie, njerëzillëku, kanë ndihmuar në këtë fazë, duke kontribuuar për riparime të rëndësishme në konvikte. Agjencia Turke e Zhvillimit po ashtu është këtu në Qytetin Studenti e po punon dhe ndërkohë qeveria i ka vënë në dispozicion Bashkisë së Tiranës, një buxhet që hapet së shpejti, për të vazhduar punën,” u shpreh gjatë takimit në Qytetin Studenti më 19 janar kreu i qeverisë duke garantuar se brenda këtij mandati, të gjitha konviktet do të jenë në një situatë katërcipërisht ndryshe dhe ndërkohë, “sëbashku me Bashkinë e Tiranës, ne të fillojmë ndërtimin e këtij Kampusi dhe brenda mandatit tjetër të Kryetarit të Bashkisë, ne të përfundojmë Kampusin Universitar.”
Kryeministri Rama bëri me dije se si Kampusi Universitar, ashtu edhe projekti i transformimit të infrastrukturës së universiteteve, do të financohen nga qeveria shqiptare për të filluar një proces adresimi të të gjithë nevojave të infrastrukturës. “Ambicia është që ky program infrastrukturor të fillojë të zbatohet brenda këtij mandati.”

Nga njëra anë qeveria kalon hapësirën fiskale nga njëra ministri në tjetrën duke ndërprerë një vepër infrastrukturore për të financuar me atë shumë një vepër tjetër, për të cilën thotë se do të financohet përmes Bankës Gjermane për Zhvillim, me kontribut sipërmarrësish të ndryshëm dhe nga buxheti i shtetit duke nisur që nga mandati aktual.

Deri më tani qeveria, si kryeministri Rama, ashtu edhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar kanë deklaruar veç transaksione virtuale të pambështetura në baza ligjore, projekte apo strategji. Ende nuk është e qartë dhe mbetet e pasqaruar se sa do të kushtojë Kampusi Universitar, kush do ta financojë dhe si do të veprohet me nismën e re të hapësirës fiskale të transferuar prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Arsimit Sporteve dhe Rinisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë