Ekonomi

Tërhiqen nga PPP. Por opozita akuzon: Orikum-Dukat, 70 mln euro për 16 km rrugë

Projektligji për Koncensionet që ndalon ofertën e pakërkuar është diskutuar të hënën në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese.

Zv.ministrja e Financave Albana Shkurta ka informuar se duke nisur nga 1 korriku 2019 nuk do të lejohen më kontrata PPP në infrastrukturë me ofertë të pakërkuar.
“Pr.ligji vjen si iniciativë ligjore e Ministrisë së Financave. Synimi i tij është përmirësimi i kuadrit ligjor dhe të rrisë kontrollin mbi angazhimet fiskale. Në hartimin e tij janë marrë në konsideratë të gjithë rekomandimet dhe përvojat e dhëna nga institucionet ndërkombëtare si FMN, BB. Në ndryshimet e parashikuara janë heqja e kontratave koncesionare në një sërë sektorësh. Nga 1 korrik 2019 nuk do të lejohen më kontratat PPP të pakërkuara në infrastrukturë. Gjithashtu parashikohet heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara”, ka sqaruar znj.Shkurta.

Zv ministrja theksoi se ndryshimi më i rëndësishëm i parashikuar në projektligjin që ka nisur të diskutohet, është eleminimi i iniciativës nga një operator privat për kontrata koncesionare në rast të një oferte të pakërkuar. “Nuk mohohet dhënia e kontratave të ardhshme koncesionare për rrugët, por vetëm ato në rast se mungon një ofertë zyrtare”.
Ajo tha se për vitin 2019 vlera totale e kontratave PPP është parashikuar 3% të nivelit të të ardhurave, ndërsa në strategjinë afatmesme këto kontrata nuk duhet të kalojnë 5 % të PBB-së.

Deputeti i PD-së gjatë diskutimeve në komision hodhi dyshime dhe kërkoi sqarime nga zv.ministrja e Financave nëse deri në muajin korrik kur ligji hyn në fuqi do të jenë dhënë apo jo koncesione të tjera.

Gjithashtu deputeti Shehaj denoncoi një rast të ri, dhënien me koncesion të rrugës Orikum-Dukat, për të cilin tha se do të jepen 70 mln euro për 16 km rrugë.
“Çdo proces që ka nisur do vazhdojë në kuadër të ligjit në fuqi”, u përgjigj zv. Ministrja. “Pra do vazhdoni të vidhni?”, iu kundërvu deputeti demokrat.

Ndërsa ndërhyri edhe deputeti Lorenc Luka: “Pra po riparoni diçka të gabuar që keni bërë. Mos ndoshta abuzoi ministri i kaluar? Bëri veprime të papërgjegjshme? Duhet të ketë një arsyetim pse sillet sot ky pr/ligj? FMN dhe opozita prej vitesh kanë kërkuar të ndalohen këto PPP se po rrisnin borxhin publik në mënyrë kriminale.”

Më herët zv. Ministri i Financave Erion Luçi ka sqaruar se projektligji për koncesionet do të hyjë në fuqi nga korriku 2019 për arsye se nevojitet një periudhë kohe më shumë se 6 mujore për të shmangur një përplasje me projektet që aktualisht janë në zbatim.
Sipas tij ligji ka efekt prapaveprues dhe miratimi i tij më herët se muaji korrik, do të ishte surprizë e pakëndshme për investitorët.

Ofertat e pakërkuara kanë qenë një kambanë alarmi nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë si FMN, BB, Komisioni Europian, etj.
Projektligji për koncesionet parashikon heqjen e ofertës së pakërkuar dhe bonusit për infrastrukturën rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë