Sociale

Qeveria shpërndan dhurata për pensionistët, studentët dhe nënat e reja

Në ditën e tetë të protestës së studentëve, kryeministri Edi Rama preferoi të mblidhte qeverinë, si ritual i çdo të mërkure, edhe pse poshtë dritares së tij protestohej dhe i bëhej thirrje për të plotësuar 8 kërkesat nga ana e tyre. 
Ndërsa cicëronte në Twitter me mesazhe drejtuar studentëve për t’u ulur në një dialog për gjetjen e zgjidhjeve për tetë kërkesat, ka marrë disa vendime sa i përket studentëve, pensionistëve dhe për bonusin e nënave që do të lindin fëmijë.
Konviktet
Përmirësimi i kushteve mizerabël të konvikteve në Qytetin e Studentit është një nga kërkesat kryesore të studentëve. Për përmirësimin e kushteve, kryeministri pati deklaruar se me qeverinë gjermane ka firmosur marrëveshje me gjermane dhe po vihet në zbatim për përmirësimin e kushteve të studentëve. Sot, ai mori vendimin për miratimin në parim të kësaj marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficencës së energjisë, faza III, me një grant në shumën 2. 927.765.96 euro.
Por pavarësisht se u miratua në Qeveri kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Parlament, që të zbatohet.

Konviktet e Qytetit Studenti


“Konkretisht ne kemi një investim 18 milionë euro. Është program investimi. Nuk është i gjithë investimi 18 milionë euro, që e keni bërë, se dikush thoshte që “e keni vjedhur” dhe nuk ishte me shkollë ai. Kemi vjedhur “sytë që të pëlcasin”. Është program investimi 18 milion euro nga qeveria gjermane. Si vodhëm?! Vodhëm qeverinë gjermane?! Apo po vjedh qeveria gjermane tek konviktet te fakulteti i ndërtimit?! Kjo është rezultat e dini se i kujt? që të kuptoni se si bëhen projektet. Sepse këtu historia është shumë e bukur. Thua që do të bëjmë një projekt dhe nga momenti që e thua, deri kur puna mbaron ka faza që janë pjesa më e madhe padukshme. Konviktet e studentëve ia kam kërkuar Kancelares gjermane Angela Merkel, këtu në Tiranë, kur ka ardhur për vizitë. E mbani mend? Atë vit në korrik i kam kërkuar këtë gjë, pastaj vijoi procesi, hyri në ato rrugët e burokracisë dhe si përfundim janë 18 milionë euro që ka filluar investimi. Është investim real, tek Fakulteti i Ndërtimit, tek Qyteti i Studentëve nr.2. Është projekt në fazën e parë, shkon deri në 56 milionë euro në total, sepse disbursohet me faza, duhen vite”, do të deklaronte Rama në monologu e zhvilluar tre ditë më parë nëpërmjet Facebookut.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar në mënyrë të menjëhershme Lëvizja Socialiste për Integrim, ku deputetja Kejdi Mehmetaj e cilësoi si tejet të vonuar, pasi rikonstruksioni duhej të kishte përfunduar. “I bëjmë thirrje kryeministrit që të vërë dorë mbi konviktet. Dhe sot për t’i hedhur hi syve shqiptareve, i shton një fond shtesë atij vendimi, por projekti duhet të kishte përfunduar. Studentët kanë kaluar natën mbrëmë në rrugë, dhe tallet me fëmijët e shqiptarëve. Ata kërkojnë të drejtën për të jetuar”, tha Mehmetaj.
Pensionistët

Qeveria do të akordojë një shumë prej 5 mijë lekësh të reja për të gjithë pensionistët me rastin e festave të fundvitit. Në vendimin e marrë në mbledhjen e Qeverisë janë përcaktuar dhe kategoritë që do të përfitojnë nga shpërblim. Pensionistët të gjithë ata të qytetit dhe të fshatit do të përfitojnë nga fondi i qeverisë, si dhe ato që kanë punuar me profesione të veçanta si ushtarakët, zjarrfikësit dhe punonjësit e SHISH, si dhe të profesioneve të tjera si minatorët apo dhe ata që kanë punuar në që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake. Mbi bazën e këtij vendimi do të përfitojnë edhe personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social apo dhe veteranët e luftës. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të pensionit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pensionistët nësportele/ Foto arkiv

Efekti financiare, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3, 278,000.000 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i sigurimeve shoqërore.

“Shpërblimet të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2018 dhe të paguhen gjatë këtij muaji.Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2018, ato të paguhen gjatë vitit të ardhshëm. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Bonuset për nënat me foshnjat e porsalindura
Vendimi i tretë ka bëjë me bonusin që i jepet për nënat e reja që lindin fëmijët. Kështu për nënat me foshnja të porsalindura për fëmijën e parë i jepen ndihma e menjëhershme financiare prej 40 mijë lekësh të reja. Ndërsa bonusi 80 mijë lekë është për nënat që lindin fëmijën e dytë dhe për fëmijën e tretë bonusi është 120.000 lekë të reja.
Në vendimin e qeverisë është parashikuar dhe fonde të posaçme për nënat që do të lindin binjakë. Masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 lekë për secilin fëmijë. Ndërsa për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 lekë për secilin fëmijë.
Ndihmën e menjëhershme financiare e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar, sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile. Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.
Çeku për këtë bonus jepet me këste ku: a) 35 000 lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”; b) 75 mijë lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”; c) 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje. Diferenca e mbetur prej 5 mijë lekësh. 6. Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019.

Vendimin për shpërblimin e pensionistëve u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale “Qeveria vendosi për pakon e Vitit të Ri për pensionistët (50USD)?dhe çekun e bebeve të 2019 (400USD fëmija i parë - 800 i dyti - 1200 i treti) Ka ende shumë nevoja e shumë më tepër duhet akoma për më të moshuarit e fëmijët, por çka po bëjmë 5 vjet më parë as mendoheshin”, komenti Rama në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë