Para

Qeveria rriti fondet për kulturën, por aktivitetet artistike ranë

Nga Gazeta ‘Si’- Pavarësisht rritjes së fondeve publike për kulturën, aktiviteti artistik në vend ka shënuar një tkurrje të lehtë gjatë vitit 2025.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në institucionet qendrore të artit u organizuan 1.272 shfaqje dhe premiera, 10 më pak krahasuar me vitin 2024, kur numri i tyre arriti në 1.282.

Në të njëjtën kohë, financimi publik për sektorin u rrit. Shpenzimet për argëtim, kulturë dhe çështje fetare arritën në 1,65% të totalit të shpenzimeve publike dhe në 0,50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 1,56% dhe 0,45% respektivisht një vit më parë.

Treguesit sinjalizojnë gjithashtu një rënie të interesit të të rinjve për studimet në fushat e lidhura me kulturën. Në vitin akademik 2025-2026 janë regjistruar 16.111 studentë, nga 16.645 që ishin një vit më parë. Megjithatë, sektori vijon të mbajë një peshë të rëndësishme në tregun e punës, me 33.893 të punësuar në aktivitete dhe profesione të lidhura me kulturën, ose rreth 3% të punësimit total në vend.

Nga ana tjetër, trashëgimia kulturore po njeh një rritje të vazhdueshme të interesit. Numri i vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike arriti në 1.523.587 gjatë vitit 2025, duke u rritur me 15,9% krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë