Qeveria ka rishikuar në rritje të lehtë buxhetin e vitit 2021, si në kahun e të ardhurave ashtu dhe në atë të shpenzimeve, ndërkohë që ka mbetur i pandryshuar parashikimi për deficitin buxhetor.
Sipas një akti normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2021, të publikuar në mbrëmje në Fletoren Zyrtare, parashikimi i të ardhurave është rritur me 1.8%, duke arritur në 487.5 miliardë lekë, ose 8.56 miliardë lekë (rreth 70 milionë euro), më shumë sesa pritej në buxhetin fillestar. Shtesa e rritjes së të ardhurave parashikohet të mbulohet tërësisht nga të hyrat tatimore.
Me të njëjtin nivel janë rritur dhe shpenzimet e pritshme, që kanë arritur në rreth 596 miliardë lekë.
Fondi rezervë është rritur nga 4 në 5 miliardë lekë, ku fondi për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, është rritur në masën 3 miliardë lekë, nga 2 miliardë që ishte buxheti fillestar, ndërsa fpndi rezervë për zgjedhjet ka mbetur 1 mld lekë.
Në rritje janë dhe shpenzimet kapitale, nga 120 në 123 miliardë lekë, që do të mbulohen nga shtimi i financimit të brendshëm po me rreth 3 miliardë lekë.
Rreth 2 miliardë lekë i janë shtuar dhe fondit social (për mbulimin e pensioneve).
Deficiti (diferenca mes shpenzimeve dhe të ardhurave), për mbulimin e të cilës qeveria do të duhet të marrë borxh, ka mbetur i pandryshuar në nivelin e 108.7 miliardë lekëve.
Rënie e ndjeshme e të ardhurave në 2020, por pritje optimiste këtë vit
Ministria e Financave parashikon që të ardhurat buxhetore në vitin 2020 të pësojnë rënie me 7.8% ose 36 miliardë lekë (292 mln euro) në raport me vitin 2019, si pasojë e efekteve negative të pandemisë së Covid -19 (për 11 mujorin të ardhurat kanë rënë me 9%).
Në të dhënat e fundit në Kuadrin e ri Makroekonomik, të ardhurat buxhetore më 2020 do të përmbyllen në nivelin e 424 miliardë lekëve, nga 460 miliardë lekë që u grumbulluan në raport me vitin 2019.
Që në fillim, buxheti i vitit 2021 u konsiderua tepër optimist, duke pasur parasysh ecurinë e 2020-s dhe pasigurive të mëdha që po shoqërojnë vitit 2021, me pandeminë që nuk i duket fundi.
Pas rritjes së parashikimit të të ardhurave, në raport me faktin e pritshëm 2020, ato pritet të zgjerohen me 15% këtë vit, një objektiv që duket i pamundur që në nisje, teksa ai nuk arrihet as në vite normale! (Monitor)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.