Politike

Qeveria rikthen fashën energjitike, por do të jetë mbi dyfish më shumë se ajo para 2013-s

Qeveria do të vendosë një fashë konsumi, që mund të trefishojë çmimin e energjisë elektrike për familjet që harxhojnë më shumë.

Sipas deklaratës së ministres së Energjitikës, Belinda Balluku fasha do të jetë 700 KWh.

“Duke pasur analizën se cila konsiderohet sasi normale çdo kilovat/orë do të faturohet pa subvencione nga qeveria. Të gjitha analizat na çojnë në fashën 700 kilovat/orë që konsiderohet një konsum normal për një familje me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë do të paguhet me çmim më të lartë”, deklaroi Balluku.

Familjeve që do të tejkalojnë këtë konsum, Qeveria do t’u faturojë çmimin e tregut, që sipas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama është 3 deri në 10 herë më i lartë. Rama thotë se aktualisht, Qeveria shqiptare mbulon 80 për qind të çmimit të energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.

Gjatë një fjalimi që mbajti në Kuvend në fund të muajit mars, Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë e rikthimit të fashës. Por, ministrja Balluku nënkuptoi se fasha ishte e vetmja mundësi për t’u aplikuar.

“Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve”, deklaroi ajo.

Shqipëria ka pasur fashë deri në 2014-n deri në 300 kë për orë. Familjet që harxhonin energji më pak se kjo shifër e paguanin atë me 7 lek kilovati, ndërsa familjet që e tejkalonin atë e paguanin me 13.5 lek kilovati.

Rama e hoqi këtë fashë në mandatin e parë, duke e mesatarizuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë në 9.5 lek kilovati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë