Kosova

Qeveria në Kosovë i premton bizneseve ndihmë pas paralajmërimit për protestë

Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, lajmëroi se së shpejti do të vihet në zbatim plani në ndihmë të bizneseve ku synohet pagesa e qirasë së subjekteve dhe pagesa e punëtorëve. Njoftimi i ministrit Murati erdhi dy ditë pasi Shoqata e bizneseve në Kosovë paralajmëroi protesta, si kundërshtim i masave të reja të vendosura atje më 7 prill.

Bizneset gastronomike do të pezullohen plotësisht për 2 javë, ndërsa të tjerat do të mund të operojnë vetëm me metodën “merre me vete”. Sipas, shoqatës, ky veprim ishte dëmtues ndaj ekonomisë së biznesit të vogël, i cili po mundohej të përmirësohej.

“Bizneset i kemi siguruar se mbështetja nuk do të mungojë. Deri në dizajnimi i masave konkrete të cilat do t’i publikojmë gjatë ditëve në vijim. Por ideja kryesore është që të mbështeten qiratë, pra shpenzimet fikse si dhe pagat e punëtorëve. Synimi ynë do të jetë të ruhet shëndeti ekonomik, por pikë së pari të ruhen edhe vendet e punës, sepse ato vende të punës pra sigurojnë familje të tëra,”- është shprehur ministri Murati.

Ai theksoi se Kosova gjendet në një emergjencë shëndetësore dhe ekonomike dhe se ndihma do të jetë për disa sektorë specifikë dhe jo gjithëpërfshirës. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë