Politike

Qeveria miraton ligjin për bastet online, brenda 6 muajsh e gjithë procedura

Pas shumë hezitimesh, qeveria Rama miratuar projektligjin për lejon bastet online.

““Baste sportive on-line” janë bastet e vendosura në faqe interneti, aplikacione ose platformë elektronike të dedikuar, të autorizuar dhe të monitorueshme të subjekteve të licencuara, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, për ngjarjet sportive ose/dhe lojërat sportive të cilat do të ndodhin në të ardhmen dhe që nuk përfshijnë garat e pistave”, thuhet në amendamentin e miratuar nga qeveria.

Bastet sportive on-line luhen nëpërmjet pajisjeve elektronike apo kompjuterike si smartphone, tabletëve, Ipad-ëve, laptop-ëve, por pa u kufizuar vetëm në to, në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e aktivitetit “baste sportive on-line”, dhe vetëm nëpërmjet programeve apo platformave të autorizuara nga Komisioni i Licencave, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore.

Ndërkohë që qeveria i jep edhe më shumë hapësirë kazinove, duke lejuar edhe lojëra të veçanta.

Çdo person fizik apo juridik mund të hapë baste online. Për këtë sipas projektligjit duhet të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”.  

“Shuma e kapitalit  të jetë jo më pak se 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës”, thuhet në draft.

“Lojë fati promocionale – jackpot” është loja që organizohet nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit, “kazino”, “resort kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje”, që promovon besnikërinë e klientit, vetëm brenda ambienteve të autorizuara ku kryejnë veprimtarinë, sipas parashikimeve të licencës së tyre, sipas autorizimit përkatës të dhënë nga Komisioni i Licencave.”, thuhet në amendamentin e propozuar.

Parashikohet edhe licenca për lotarinë kombëtare, e cila është një e vetme dhe jepet për një periudhë 10 vjeçare. E gjithë procedura për licencimin e basteve online shkon për një periudhë 6 mujore, ku ministra përkatëse duhet të nxjerrë aktet nënligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë