Sociale

Qeveria do të rimbursojë gjobat e vendosura nga Greqia për emigrantët

Kryeministri Edi Rama thotë se zyra e tij është në kontakt me autoritetet greke për të anuluar gjobat që u janë vendosur shqiptarëve që kanë shkelur afatin 90-ditor të qëndrimit në Greqi gjatë krizës së pandemisë.

“Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë që kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga Covid19”, deklaron ai.

Për pjesën që nuk do t’u anulohet gjoba, Rama thotë se Qeveria shqiptare do t’ua rimbursojë në masën 100 për qind.

“Unë i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilëve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100 për qind nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë”, shkruan Kryeministri përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ditët e fundit qytetarët shqiptarë kanë denoncuar me dhjetra raste kur janë gjobitur nga pala greke gjatë rikthimit në Shqipëri për shkelje të afatit 90-ditor të qëndrimit në Greqi. Gjobat e vendosura variojnë nga 600 deri në 1200 euro, ndërkohë që ka raste kur penalitetet shkojnë edhe me heqjes të së drejtës për të hyrë në Greqi për 5 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë