Futboll

Qeveria angleze bllokon asetet e Roman Abramoviçit, Çelsi mbetet në ‘ajër’

Gazeta Si - Roman Abramoviç është sanksionuar nga qeveria angleze, që ka bllokuar të gjitha asetet e tij, duke përfshirë edhe Çelsin. Klubit londinez për momentin i është dhënë një licencë speciale për të vazhduar aktivitetin sportiv, por masat e fundit nuk lejojnë shitjen e Çelsit nga ana e manjatit rus.

Trajneri Tomas Tuhel dhe skuadra gjenden kështu në një situatë të pazakontë në momentin kyç të sezonit.

Sanksionet i ndalojnë Çelsit të bëjë merkato në verë, të rinovojë kontratat në skedencë, si dhe të shesë bileta e të bëjë marketing. Një problem serioz ky për klubin, që në verë do të humbasë me parametra zero lojtarë si, Antonio Rudiger, Andreas Kristensen dhe Sezar Azpilikueta.

Çelsi feston me trofeun e Botërorit të klubeve. Gazeta Si, 10 mars 2022

Në dokumentin zyrtar të lëshuar nga qeveria angleze ka një paragraf, që e përkufizon Abramoviçin "të lidhur me një person që është përfshirë në destabilizimin e Ukrainës. Me Vladimir Putinin Abramoviç ka pasur raporte të afërta për shumë vite. Kjo lidhje interesash e ka lejuar të përfitojë financiarisht dhe materialisht nga Putini dhe qeveria e Rusisë".

Londra ka njoftuar zyrtarisht se ka bllokuar të gjitha asetet e shtatë biznesmenëve rusë, mes të cilëve janë Roman Abramoviç, Igor Sekin, Oleg Deripaska dhe Dmitri Lebedev, të cilët bënin pjesë në listën e sanksioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë