Ngjarje

Qeni i vettingut alarmoi policinë, Prokuroria: Nuk e vodhën, iku vetë

Në muajin maj Gazeta “Si” shkroi për humbjen e qenit të njërit prej vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Xhon Leonardo. Dhe për alarmimin e policisë asokohe. Epo, qeni i vettingut është marrë mjaft seriozisht dhe nga Prokuroria. Gjatë nëntë muajve janë këqyryr dhjetëra kamera sigurie në zonën ku banon vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, për të gjetur hajdutin. Në përfundim, pas shumë veprimesh dhe delegimesh për marrje dëshmish dhe gjetje gjurmësh, edhe prokurorët janë dorëzuar. Organi i akuzës mendon që në rastin e humbjes së qenit provat tregojnë që nuk bëhet fjalë për vjedhje. Ndaj, dosja propozohet të pushohet, pasi nuk ka vepër penale. Por çështja e qenit - kur bëhet fjalë për vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Vettingut - është marrë aq me seriozitet sa Kodi Penal është respektuar pikë për pikë dhe përsa kohë Xhon Leonardo është një i dëmtuar, prokurori shprehet për procedimin nr.5557 “të njoftohet edhe Xhon Leonardo, i dëmtuari.”
Hetimi
Në dosjen e dorëzuar në gjykatë thuhet se pas këqyrjes së dhjetëra kamerave, rezulton që qeni është larguar vetë dhe se në banesë nuk ka hyrë askush për ta vjedhur. Procesverbali saktëson se në banesë nuk ka pasur hyrje me dhunë. Por nuk mjafton me kaq. Policia nuk ka lënë pa pyetur edhe pronarë lokalesh dhe komshinj të vëzhguesit të ONM-së, i cili ndoshta ka humbur vërtet qenin, por mund të ketë kuptuar se sa vlejnë fqinjët.
Fqinji
V. Ademi, banor në Tiranë është njëri nga dëshmitarët e pyetur sa nga prokuroria, sa nga policia. Ai është fqinj me Xhon Leonardon, ndaj edhe ai është pyetur për qenin.
“Rreth orës tetë të darkës dola në sheshpushimin e shkallëve dhe pashë që dera e komshiut ishte gjysmë e hapur. I rashë ziles disa herë, por nuk mu përgjigj njeri. Më pas zbrita një kat më poshtë, ku qëndrova rreth 20 minuta. U ngjita sërish për në banesën time. Përsëri vura re që dera e banesës përballë ishte gjysmë e hapur. I rashë përsëri ziles së komshiut, por meqënëse nuk mu përgjigj askush, hyra në shtëpinë time. Pas 20 minutash erdhi A. Leskaj dhe i tregova se porta e jashtme kishte rreth një orë e hapur. Nga ana e saj, Leskaj mu përgjigj se e kishte mbyllur me çelës portën”, është shprehur dëshmitari Ademi.
Policia me këtë rast, veç këqyrjes së vendngjarjes ka kryer edhe eksperiment. Ekspertët vlerësojnë se dera e shtëpisë ishte e blinduar dhe se është bërë provë me çelësin që dispononte gruaja A. Leskaj, e cila është edhe autorja e denoncimit për humbjen e qenit. Në dosjen që Gazeta “Si” disponon, vlerësohet se “dera funksiononte normalisht, por duke nisur nga fundi i portës, vihen re gërvishje në formë harkoreje. Gërvishtjet kanë një gjerësi deri në shtatë cm. Në dysheme u gjet material drusor me kasën e derës. Në banesë vihet re se sendet ishin të sistemuara, dyert dhe dritaret janë të mbyllura, të siguruara dhe pa dëmtime”.
Filmimet
Nëse policët do të ishin kaq këmbëngulës edhe për hetime të tjera, me siguri shumë ngjarje do të kishin një emër. Duke mos u mjaftuar me këqyrjen në banesë dhe pyetjen e dëshmitarëve, mes tyre edhe pronarë lokalesh, në dosjen që Gazeta “Si” disponon theksohet: “U mor kamera e lokalit SH. pranë banesës së Xhon Leonardos. Nga këqyrja e pamjeve, rezulton se në orën 19:01:58, në trotuarin përballë lokalit, shfaqet një qen në ngjyrë kafe të hapur, që po ecën. Qeni ndalon tek rrugica e më pas del në anën tjetër të pallatit, duke u larguar. Qeni është i pashoqëruar”.
Pas administrimit të këtyre pamjeve, denoncuesja ka tundur kokën dhe ka pranuar që qeni ishte i Xhon Leonardos. Por kjo nuk ka mjaftuar. Edhe këqyrja e kamerave të tjera saktëson largimin e qenit me dëshirën e tij. E vetmja gjë që hetuesit e specialistët nuk tregojnë në këtë rast hetimor, është emri i qenit, i cili në dosje lihet të kuptohet se është larguar në drejtim të paditur. Mos e thënë Zoti që gjykata ta kthejë për hetime të mëtejshme këtë dosje, pasi specialistëve do t’u duhet ta kthejnë përmbys Tiranën për të kuptuar xhiron e qenit të vettingut!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë