Ngjarje

Në kërkim qeni i Vettingut

Më së shumti policia vihet në kërkim të njerëzve, që humbasin apo që janë të shumëkërkuar për vepra të ndryshme penale. Apo në kërkim të sendeve me shumë vlerë kur grabiten. Pra, policinë jemi mësuar ta shohim në funksion të ruajtjes dhe qetësisë publike për njerëzit. Por mox u nxitoni, policia vlen edhe për kafshët. Këtë e tregon rasti më u fundit i ndodhur në Tiranë. Siç shprehen burime mjaft të sigurta të Gazetës “Si”, së fundmi agjentët e krimeve dhe disa efektivë të rendit janë në kërkim të një qeni. Në fakt qeni nuk është i barabartë mes kafshëve, përderisa janë regjistruar hetime të menjëhershme për të. Qeni nuk është një qen i zakonshëm, ose do të ishte një qen i zakonshëm nëse pronari i tij do të ishte një qytetar i thjeshtë. Burimet shtojnë se qeni i humbur i përket një shtetasi amerikan dhe akoma më tej ai është me një detyrë ad hoc në Shqipëri. I zoti i qenit të humbur është John Leonardo, njëri nga vëzhguesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit, shkurt ONM. Leonardo i cili ka ardhur në Shqipëri në 2017, është njëri nga tetë vëzguesit ndërkombëtarë që po ndjek hap pas hapi procesin e Vettingut. Ai është ekspert nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më herët ka shërbyer në vendin e tij edhe si prokuror i Arizonës.

John Leonardo, vëzhgues i ONM

Denoncimi
Zakonisht sa herë humbet një qen ne jemi mësuar që të ndiqet rruga e njoftimit përmes afishimit të letrave nëpër shtylla. Në to evidentohen karakteristikat e qenit të humbur, si edhe vendoset një numër kontakti. Shpesh vendoset edhe masa e shpërblimit. Por siç duket Leonardo, një shërbëtor i ligjit, njeh vetëm rrugën e ligjit. Denoncimin në polici e ka dorëzuar 44-vjeçarja me inicialet A. Leskaj. Ajo i ka treguar policisë se në rrugën “Pjetër Budi”, shërbente si mirëmbajtjëse e qenit në fjalë dhe se qeni i përket shtetasit Xhon Leonardo. “Shkova në banesë - pohon gruaja - dhe e gjeta derën të hapur, kërkova gjithandej nëpër shtëpi por qeni nuk ishte në shtëpi. Kërkova në lagje, por nuk gjeta asnjë gjurmë të tij”. Në këto kushte, pasi ka marrë denoncimin, policia thotë se po punohet për gjetjen e qenit, i cili u ka shtuar një hall më shumë uniformave blu. Sakaq policia nuk mjaftohet me kërkimet, ka referuar gjithashtu materialet në Prokurori, e cila do të vlerësojë se çdo të bëjë më tej. Derisa letrat e kallëzimit të bëjnë xhiro në Tiranë, le të shpesojmë se edhe eksperti i ONM-së do jetë shqiptarizuar sadopak dhe se do ta gjejë qenin e tij në mënyrë vendshe, duke pyetur e duke kërkuar. Le të shpresojmë se qeni do të kthehet në shtëpi, që edhe Leonardo, të jetë i qetë gjatë seancave të Vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë