Ngjarje

Qazim Mulleti kthehet në atdhe

Eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti janë kthyer sot në atdhe, 67 vjet pas vdekjes së tij. Trageti me eshtrat e tij mbërriti nga Italia në Portin e Durrësit nga ku, pas procedurave përkatëse, është nisur drejt Tiranës, ku ai do të prehet në Varrezat e Tufinës. Qazim Mulleti vdiq në Romë më 28 gusht 1956, ndërsa ceremonia e rivarrimit të tij në Tufinë është njoftuar se do të mbahet më 28 gusht (të hënën).

Shoqata “Tirona Intellectum” shkruan në një postim në rrjetet sociale se “ish-Prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh aq baltë nga historiografia komuniste, dhe që 10 vjet pas vitit 1965 kur vdiq në Itali, eshtrat i tij dergjeshin në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës, më në fund do prehet në Tiranën e tij të dashur!”.

Fatbardha Saraçi Mulleti, mbesa e Qazim Mulletit, falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për sjelljen e eshtrave të tij në atdhe. “Pres eshtrat e xhaxhait tim Qazim Mulleti që po kthehen sot, falenderoj të gjithë ata që bënë të mundur që të vijën eshtrat e tij në Tiranë. U jemi mirënjohës të gjithëve që i sollën. Kemi shkruar në Romë ku ka qenë varri i tij. Ishte depozituar në ambientet e funeralit”, është shprehur ajo.

Figura e Qazim Mulleti ka ngjallur gjithnjë polemika mes historianëve dhe studiuesve. Sipas kryetarit të Shoqatës ‘Tirana”, Arben Tafaj, ka shumë aktorë të cilët duhet të koordinohen dhe të nxjerrin në pah figura të tilla. “Përpjekjet për rehabilitimin e Qazim Mulletit nuk kanë munguar asnjëherë. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka shumë aktorë në mjedisin tonë, të cilët duhet të koordinohen dhe të nxjerrin në pah figura të tilla që deri më sot janë anatemuar”, u shpreh Tafaj.

Ku gjendeshin eshtrat e tij deri më sot?
Eshtrat e ish-prefektit te Tiranes Qazim Mulleti gjendeshin në një provincë të Romes, me saktësi në Rocca di Pappa. Tronditës është fakti që eshtrat e tij nuk ndodhen në mes varreve të zakonshme, por të futur në një arkë alumini, në një nga depot e “Cimitero Comunale San Sebastiano Martire”!

Qazim Mulleti

Kush ishte Qazim Mulleti?
Qazim Mulleti lindi në vitin 1895, në një nga familjet e mëdha tiranase. Familja e tij është pasardhëse e themeluesit të kryeqytetit, Sulejman Pashës. Qazim Mulleti kishte mbaruar shkollën e Zosimesë në Janinë, studimet e larta i kreu në Gallatasaraj (Turqi). Ai ka shoqëruar patriotët e njohur në ngritjen e flamurit në Tiranë më 1912, ndërsa pak kohë më vonë u vu në krye të rinisë fanoliste.

Qazim Mulleti ka qenë një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Në vitin 1924-1925 emërohet si prefekt i Matit. Pas Revolucionit të Qershorit dhe rimarrjes së pushtetit nga Zogu, Qazim Mulleti ikën në Vjenë. Në vitin 1931, bashkë me Ndokë Gjeloshin dhe Aziz Çamin, i bëjnë atentat Mbretit Zog në Operën e Vjenës.

Në korrik 1939, disa muaj pas largimit të Mbretit Zog, Qazim Mulleti kthehet nga emigrimi dhe merr postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve në vitin 1944, Qazim Mulleti largohet jashtë shtetit. Ai vdes në vitin 1956 në Itali. Qazim Mulleti ka qenë njohës i 9 gjuhëve të huaja.

Thuajse të gjithë qytetarët e kryeqytetit e pranuan me dëshirë zgjedhjen e një tiranasi në postin e kryetarit të bashkisë. Sekretar personal i tij ishte Mehmet Rushiti, ndërsa nënkryetar Halil Mëniku, që drejtoi më pas kryeqytetin përkatësisht në vitet 1943-1944. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti.

Por reliktet e punës së tij, të cilat ekzistojnë edhe sot, janë banjat publike nën tokë. Sipas nipit të Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, me të marrë postin e drejtuesit të Tiranës, nisi vendosjen e çezmave publike në rrugica, si dhe ndërtimin e banjave publike në disa pika të rëndësishme të qytetit, duke zgjidhur njëkohësisht problemin e kanalizimeve nëntokësore.

Një tjetër sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja. “Ne kena pas afër xhamisë te Pazari i Ri varrezat e shtëpisë. Por duke dashur me bo i reformë e me i çu varrezat mo larg qendrës, Qazimi e nisi nga vorrezat tona e në ven të tyne ma pas u ndërtu markata e Pazarit të Ri”, ka rrëfyer Tanush Mulleti.

Karrocat me kuaj që në atë kohë mbizotëronin, nuk u lejuan të shkelnin në qendër të Tiranës, duke i dhënë kështu qytetit të viteve ’40 një pamje më të pranueshme. Në kohën kur Bashkia drejtohej nga Qazim Mulleti, u ndërtuan dhe furrat e para elektrike të bukës në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë