Bota

Putin i bën homazhe Gorbaçovit, por nuk do marrë pjesë në funeralin e tij

Gazeta Si - Presidenti rus Vladimir Putin shkoi për të bërë homazhe para arkëmortit të Mikhail Gorbaçovit, por nuk do të marrë pjesë në varrimin e planifikuar për të shtunën, "sepse orari i tij i punës nuk e lejon atë".

Udhëheqësi i Kremlinit vizitoi shtëpinë e funeralit të “Babait të Perestrojkës”, i vendosur në Klinikën Spitalore Qendrore në Moskë.

Putin vendosi një buqetë me lule në arkivolin e hapur dhe kaloi disa minuta në meditim.

Ai bëri shenjën e kryqit dhe u përkul para trupit përpara se të dilte nga dhoma. Dhe më pas ai u nis për udhëtimin e tij në Kaliningrad.

Në telegramin e tij të ngushëllimit për familjen, numri një i Kremlinit kishte shkruar për Gorbaçovin: "Ai ishte një politikan dhe një burrë shteti që kishte një ndikim të rëndësishëm në historinë e botës".

Gorbaçov, shkroi sërish Putini, "duhej të përballej me sfida të mëdha në politikën e jashtme, në ekonomi dhe në sferën sociale, ai e kuptoi thellësisht se reformat ishin të nevojshme dhe u përpoq të propozonte zgjidhjet e tij për probleme të rëndësishme”.

“Dëshiroj të nënvizoj gjithashtu veprimtarinë e madhe humanitare, bamirëse dhe iluministe që Gorbaçovi ka zhvilluar gjatë gjithë viteve të fundit. Ju kërkoj të pranoni fjalët e sinqerta të solidaritetit dhe empatisë për humbjen që keni pësuar”.

Ceremonia e varrimit të Gorbaçovit do të mbahet të shtunën në Sallën e Kolonave në Moskë, që historikisht është përdorur për ceremoni mortore të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe të Joseph Stalin më 1953.

Pas ceremonisë, trupi i pajetë i Gorbaçovit do të varroset në varrezën Novodeviçi në Moskë, pranë varrit të gruas së tij, Raisa, e cila vdiq më 1999.

Gorbaçev më 1985 mori udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik dhe ishte i njohur për afrimin e tij me Perëndimin.

Ai ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike dhe lider i Rusisë në moshën 54-vjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë