Nga Gazeta Si- “Dëme serioze mjedisore po ndodhin aktualisht në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë në Shqipëri”.
Kështu e nis reagimin Organizata mjedisore gjermane EuroNatur lidhur me punimet që po kryhen aktualisht në zonën e mbrojtur të Pish Poro-Nartë në Shqipëri.
Organizata shkruan se që nga fundi i prillit, buldozerët dhe ekskavatorët kanë operuar në zonën qendrore të peizazhit të mbrojtur, duke pastruar pyjet bregdetare, duke hequr dunat dhe duke hapur rrugë të reja hyrëse përmes habitateve të paprekura më parë.
“Puna shkatërruese mjedisore që po kryhet në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë në Shqipëri po zhvillohet pa procedura transparente miratimi, vlerësime të ndikimit mjedisor ose pjesëmarrje publike. Kjo përbën një shkelje serioze të rregulloreve kombëtare të ruajtjes së natyrës dhe angazhimeve të marra nga Shqipëria si pjesë e procesit të pranimit në BE”, shkruhet në njoftimin zyrtar të EuroNatur, duke sqaruar se kur kapitulli i mjedisit i procesit të pranimit në BE u hap në shtator 2025, BE dhe Shqipëria ranë dakord që ndryshimi i Aktit të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë do të tërhiqej deri në fund të vitit 2027. Gjithashtu u ra dakord që të gjitha projektet do të planifikoheshin dhe zbatoheshin në përputhje me kërkesat e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor të BE-së.
“Provat aktuale sugjerojnë se qeveria nuk është e gatshme t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje. Duke ndryshuar Aktin e Zonave të Mbrojtura dy vjet më parë, qeveria shqiptare ka hapur rrugën për zgjerim të pamatur të turizmit në kurriz të trashëgimisë së saj më të çmuar natyrore”.
EuroNatur, së bashku me organizatat partnere shqiptare dhe ndërkombëtare, bën thirrje për një ndalim të menjëhershëm të ndërtimit, transparencë të plotë në lidhje me lejet dhe një shqyrtim rigoroz të rastit në nivel të BE-së.
“Puna e vazhdueshme e ndërtimit në një rezervat natyror ekzistues jo vetëm që rrezikon trashëgiminë unike natyrore, por edhe minon besueshmërinë e Shqipërisë në procesin e zgjerimit të BE-së”, thotë Gabriel Schëaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur.
“Marrëveshjet e bëra me BE-në po shkelen nga qeveria shqiptare. BE-ja tani duhet të rrisë urgjentisht presionin mbi qeverinë për të siguruar që shkatërrimi i natyrës në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Evropës të ndalet menjëherë.”
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë përbën pjesë të sistemit të deltave të lumenjve Vjosë-Shkumbin, sistemi i fundit i deltave të mbetura të paprekura në Mesdhe.
Është një nga rajonet më të vlefshme ekologjikisht të Europës dhe ofron një habitat për më shumë se 200 lloje zogjsh, si dhe mbi 70 lloje të rrezikuara.
Vjosa fitoi njohje të gjerë në vitin 2023, pas një fushate 10-vjeçare nga EuroNatur dhe organizatat e saj partnere Riverëatch dhe EcoAlbania.
Lumi u shpall parku i parë kombëtar i lumit të egër në Europë.
Disa ditë më parë, i pyetur nga mediat për këtë temë, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se Pishë Poro-Nartë klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur” i kategorisë 5, sipas legjislacionit shqiptar për zonat e mbrojtura dhe lejohen disa zhvillime turistike, për aq kohë sa respektohen kriteret ligjore dhe mjedisore.
Sipas ministrit, aktualisht në zonë nuk po zhvillohet ndonjë ndërtim i mirëfilltë, por vetëm një rrethim i një prone private, i miratuar me leje të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të Territorit, për realizimin e survejimeve biologjike.
“Subjektet përkatëse kanë bërë njoftimet pranë agjencive rajonale dhe aktiviteti monitorohet çdo ditë”, u shpreh ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje