Sociale

Punësohen edhe 50 infermierë te Covid 2, Manastirliu: Masa edhe për vjeshtë-dimër

50 infermierë të rinj i bashkohen stafit mjekësor të spitalit Covid 2 “Shefqet Ndroqi” në luftë kundër Covid19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një takim me infermierët e rinj në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është shprehur se ata do t’i bashkohen stafit mjekësor të këtij spitali.

“Një pjesë e juaj, pra e armatës së re të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë edhe një pjesë e infermierëve të cilët kanë qenë në misionin e parë të dërguar në Itali dhe kanë marrë aty eksperiencën e nevojshme, eksperiencë e cila patjetër do të transmetohet tashmë në këtë spital. Janë 50 infermierë që i shtohen spitalit COVID2”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se po bëhet një punë e madhe nga mjekët dhe infermierët në spitalet COVID, që çdo ditë trajtojnë raste të rënda të konfirmuara pozitive por edhe raste të cilat janë të dyshuara.

Gjatë bashkëbisedimit me stafin e spitalit COVID2, Manastirliu tha se po bëhen përgatitjet edhe për periudhën e vjeshtë-dimrit.  

“Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të gjithë mbështetjen për personelin mjekësor, për të fuqizuar kapacitetet tona spitalore, qoftë spitaleve aktuale, qoftë spitaleve të cilat projektohen për t’i shërbyer pacientëve me Covid përgjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit”, tha ministrja.

Ndër të tjera, Manastirliu është shprehur se pavarësisht masave të marra, roli i qytetarëve është vendimtar për këputjen e zinxhirit të infeksionit, duke bërë apel për të zbatuar masat e thjeshta.

“Është në dorën e secilit prej nesh këputja e zinxhirit të infeksionit, duke zbatuar masat e thjeshta, me vendosjen e maskës, ruajtjen e distancimit fizik dhe higjienën personale. Kjo është për të mirën e përbashkët dhe për shëndetin e qytetarëve”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë