Futboll

Publikohet lista e klubeve të Superiores me borxhe në tatime

Kaosi në futbollin shqiptar sa vjen dhe shtohet, duke marrë përmasa edhe më të gjera. Në vitet e fundit është folur shumë për borxhet që klubet shqiptare kanë kundrejt lojtarëve dhe palëve të treta. Rasti më i fundit që doli në pah si një klub debitor ndaj lojtarëve dhe palëve të treta ishte Luftëtari i Gjirokastrës. Edhe pse nga presidenti Grigor Tavo gjendja u mohua dhe se është nën kontroll, Luftëtari vijon të jetë në një pikë kritike.

Por klubi gjirokastrit nuk është i vetëm, pasi edhe më herët ka pasur klube shqiptare që janë dënuar për shkak të problemeve me detyrimet financiare. Flamurtari dhe Tirana janë dy rastet më të njohura që nuk janë licencuar për të luajtur në Europë për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj lojtarëve.

Por këto tre raste duket se janë vetëm maja e ajsbergut, pasi i gjithë futbolli shqiptar është i përfshirë në një krizë të thellë financiare. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është bërë publike lista e të gjitha subjekteve që rezultojnë debitorë, në mesin e tyre janë edhe shumë klube futbolli në vendin tonë.

Nga Kategoria Superiore janë, Flamurtari, Tirana, Kastrioti, Kamza dhe Luftëtari që rezultojnë të jenë debitorë karshi Tatimeve. Por nuk janë vetëm këto, pasi edhe Lushnja, Turbina, Besa, Egnatia, Tomori, Apolonia dhe Elbasani dhe Fk Bulqiza nga kategoria e parë janë sërish debitorë në organet tatimore.

Nuk bëhet e ditur shuma e detyrimeve që kanë të pashlyera këto klube, por disa nga ekipet e Superiores kapin shifra shumë të larta që i afrohen 1 milionë eurove. Këto borxhe janë një “minë me sahat” për futbollin në vendin tonë, pasi në rast të një falimenti të tyre do të rrezikohej seriozisht gara në të gjitha kategoritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë