Futboll

PSG fluturon në “Old Traford”, Roma thyen Porton

Spektakolare dhe me gola, kështu kanë qenë të dyja ndeshjet e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve. PSG ka mposhtur Mançester Junajtid në shtëpi me rezultatin komod, 0-2. Ndërsa në “Olimpico”, Roma ka triumfuar përballë portugezëve të Portos në shifrat 2-1.

Sfida në “Teatrin e ëndrrave” ka qenë në nivelin e pritshmërive. Një futboll i nivelit të lartë nga të dyja ekipet, por që në fund fati iu ka buzëqeshur miqve francez. Pjesa e parë ishte një betejë e vërtetë në të gjithë kuptimin e fjalës, me përballje dhe dyluftime të ashpra në kufijtë e një beteje futbollistike. Me futjen në fushë për 45 minutat e dyta PSG, u duk më e vendosur për ta fituar këtë përballje. Në fillim Kimbepe dhe më pas Kilian Mbape shënuan dy gola shumë të shpejtë, por që mjaftuan për PSG që të dilte fitimtarë në këtë raund të parë të fazës së 1/8 dhe tashmë ka më shumë shanse për të kaluar më tej, pasi ndeshja e kthimit luhet në “Parc Des Prince”.

Në Roma ka fituar ndeshjen dhe njëkohësisht edhe “yllin” e ri të ekipit të saj, Nikolo Zaniolo. Talenti 19-vjeçar që këtë vit është në sezonin e tij të parë në kryeqytetin italian ka shënuar dy golat që i dhanë triumfin verdhekuqëve në shtëpi përballë një Porto që në fund e shënoi golin që i mban shpresat gjallë për në ndeshjen e kthimit. Roma niset e avantazhuar për sfidën e kthimit, por sërish do duhet të ketë kujdes pasi një humbje minimale 1-0 do e nxirrte jashtë Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë