Shendet

Pse vaksina e gripit është e rëndësishme në këtë sezon Covidi

Ekspertët nuk janë të sigurt se vaksinimi kundër gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër koronavirusit. Ata vendosin sërish theksin te vaksinimi ndaj gripit sezonal, duke nënvizuar se kryerja e vaksinës së gripit këtë vit është shumë e rëndësishme, sidomos në kategori të caktuara.

Në vendin tonë, shpërndarja e vaksinave tashmë ka filluar dhe po bëhet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar, ndërsa në farmacitë e Tiranës ende nuk kanë mbërritur dhe nuk mund të gjesh flakonë të vaksinës kundër gripit sezonal.

“Kushtet e transportit janë shumë të rëndësishme dhe duhet që vaksinën ta bëjë infermierja”, shpjegon mjekja infeksioniste, ndërkohë që ekspertë të shëndetit shpjegojnë mënyrën se si është menduar të funksionojë vaksinimi gjatë këtij sezoni në bazë të protokolleve të veçanta.

“Vaksinimi ndaj gripit ka sfidat e veta në zbatimin e tij për shkak të kufizimeve dhe vendosjes së mjediseve të sigurta për vaksinimin që imponon Covid-19”, shpjegohet nga ekspertët, të cilët kanë përgatitur një udhëzues të veçantë për procesin e vaksinimit. 

Në udhëzuesin e shpërndarë për personelin shëndetësor në fund të shtatorit, bëhet me dije se nevojitet të zbatohet plani i detajuar i vaksinimit ndaj gripit për çdo bashki, i cili do të monitorohet nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Ndërkohë theksohet se procesi i vaksinimit ndaj gripit sezonal 2020-2021 ka disa pika kyçe. 

Kështu, “për realizimin me efikasitet të vaksinimit ndaj gripit çdo qendër shëndetësore apo spital duhet të caktojë dhomat përkatëse për vaksinimin ndaj gripit, mundësisht të veçuara nga ambientet ku hyjnë personat e tjerë për të marrë shërbim shëndetësor, ku hyrja dhe dalja të jenë të kontrolluara”.  

Ndërsa në pamundësi të sigurimit të ambienteve të veçanta çdo qendër shëndetësore “propozon mundësi të tjera për të kryer vaksinimin në mënyrë të sigurt”.

Mjeku V. Xh bën me dije se çdo qendër shëndetësore duhet të përcaktojë listën e personave prioritarë sipas grupeve të riskut që do të vaksinohen dhe t’i planifikojë ato për vaksinim me orare përkatëse dhe do të organizojë se si do të lajmërohen këta persona.

Sipas udhëzimit për fillimin e procesit të vaksinimit, personat në risk për tu vaksinuar ndaj gripit janë: punonjësit shëndetësorë, të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, diabet, sëmundje pulmonare dhe sëmundje të tjera kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, obezët, personat me imunitet të kompromentuar, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç, mësues dhe edukatorë, policët dhe forcat e rendit, fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç.

“Vaksinimi i fëmijëve 2-5 vjeç mund të kryhet në ambientet e konsultorit të fëmijëve, por me një orar të përcaktuar, si për shembull: 12:00-14:00, orar në të cilin nuk duhet të vijnë fëmijë të tjerë për të ndjekur ecurinë e rritjes apo vaksinimin e tyre rutinë. Fëmijët për vaksinim duhet të shoqërohen vetëm nga një prind”, theksojnë ekspertët e shëndetit.

Bazuar në eksperiencën për punonjësit shëndetësorë dhe grupe të tjera, si p. sh: forcat e rendit, mësues apo edukatorë etj. do të vaksinohen në vendin e punës.

Për këtë arsye planifikimi i sasive dhe organizimi do të bëhet nga qendrat shëndetësore, që mbulojnë zonën ku ndodhen këto institucione, të cilat do të bëjnë kërkesë të veçantë për këto kategori.

Për gazetën “Si” mjekët bëjnë me dije se vaksinat ndaj gripit do të vijnë pjesë-pjesë. Sasia e parë ka mbërritur pikërisht në këto ditë të parë të tetorit ndërsa priten të vijnë edhe tre doza të tjera vaksinash.

Grafiku i ardhjes së vaksinave

Doza e parë e vaksinave, 70 000 doza ka ardhur në fillim të tetorit dhe ka filluar shpërndarjen në datën 5 tetor, për të vijuar deri më 13 tetor. Dy doza të tjera vaksinash parashikohet të mbërrijnë në 27-3 nëntor dhe shpërndarja e tyre të bëhet në 2-8 nëntor, ndërsa doza e katërt dhe e fundit, prej  130 200 parashikohet të mbërrijë në 9-15 nëntor e më pas të shpërndahet.

Vaksina do të jetë kryesisht në flakonë 10 dozësh. Shpërndarja e tyre do të kryhet kryesisht nga ISHP brenda 4-5 ditëve nga ardhja e secilës sasi.

Menaxhimi i situatës së virozave stinore në këtë periudhë pandemie është një sfidë, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë botën.

“Kemi shumë sfida, që nisin nga kapacitetet e testimit. Për këtë arsye, do të na duhet më shumë kohë për të kuptuar nëse një pacient ka grip të thjeshtë, ka Covid apo ndonjë virus tjetër, që do të thotë se pacienti do të duhet të izolohet për një kohë më të gjatë. Ndaj, do të jetë më e vështirë që shkollat apo vendet e punës të qëndrojnë të hapura”, thotë mjeku Vivek Murthysh.

Mjekë nga vende të ndryshme në muajin mars raportuan për pacientë pozitivë si për Covid ashtu edhe për gripin, por ata ishin një pakicë e vogël.

Raportet e para nga Kina treguan se bashkë-infektimi me sëmundje të tjera të frymëmarrjes ishte jashtëzakonisht i rrallë në pacientët me Covid-19.

Ndërsa një studim tjetër nga spitali Tongji i Wuhan shkoi në drejtim të kundërt: nga 544 pacientë me Covid-19, gati 12% gjithashtu kishin grip të tipit A ose B, ndërsa bashkë-infeksioni u pa të ishte një faktor i rëndësishëm rreziku. B.Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë