Shendet

“Përplasja” e gripit me Covid-19, t’i vaksinojmë apo jo fëmijët?

Vjeshta njihet ndryshe edhe si sezoni i gripit. Kjo është periudha për të cilën mjekët dhe ekspertët e shëndetit kanë bërë vazhdimisht thirrje për të treguar kujdes, sidomos në situatën ku ndodhemi, ku krahas gripit sezonal njerëzit po përballen edhe me Covid-19.

Pavarësisht se gripi sezonal dhe COVID-19 shkaktohen nga viruse të ndryshme, të dyja lidhen me rrugët e frymëmarrjes dhe mund të shkaktojnë probleme serioze sidomos te kategori të caktuara njerëzish.

Një ndër grupet më në risk për t’u prekur nga gripi sezonal janë fëmijët. Por në situatën ku ndodhemi shumëkush mund të ngrejë pyetjen si të dallojë nëse fëmija i tij është prekur nga gripi i thjeshtë apo COVID-19?!  

Ku ndryshon gripi nga COVID-19?

Si gripi ashtu edhe COVID-19 janë ngjitës dhe sipas specialistëve të shëndetit do të përhapen gjatë kësaj periudhe, në vjeshtë dhe në dimër. Gripi dhe COVID-19 kanë simptoma të ngjashme, prandaj mund të jetë e vështirë të dallohen nga njëri-tjetri.

Të dy infeksionet nuk mund të shkaktojnë simptoma ose jo (asimptomatikë) ose mund të shfaqin simptoma të lehta deri të rënda.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), simptomat e përbashkëta të gripit sezonal dhe COVID-19 mund të jenë: ethet, kollitja, vështirësia në frymëmarrje, lodhje ekstreme, dhimbje të muskujve apo trupit, dhimbje koke, hundë që rrjedhin, të vjella dhe diarre. Ndërsa humbja e shijes apo aromës është një simptomë që lidhet më së shumti me COVID-19.

Simptomat e gripit shfaqen rreth 1 deri në 4 ditë pasi janë ekspozuar ndaj një personi të sëmurë. Simptomat COVID-19 shfaqen rreth 2 deri në 14 ditë pasi janë ekspozuar ndaj një personi të sëmurë.

Por si mund të dallojmë nëse një person ka grip sezonal apo COVID-19 pasi shenjat edhe mund të na ngatërrojnë?

“Diçka e tillë do të dallohet me analiza”,- thotë për gazetën “Si” mjekja infeksioniste Alma Hoxha, ndërsa i mëshon faktit se tani është koha për të folur për vaksinimin dhe rëndësinë e tij.

Sipas specialistëve bërja e dallimit midis gripit dhe Covid-19 është e rëndësishme për prognozën që duhet bërë shpejt, ndërsa ka dhe nga ata që vërejnë se ekziston mundësia që trajtimet me ilaçe mund të mbivendosen.

“Ka ilaçe që mund t'i administrojmë nëse jemi me Covid-19, ndërsa për gripin mund të zgjedhim antivirale specifike", vëren Benjamin Singer, specialist i kujdesit për mushkëritë në Qendrën e Kujdesit Shëndetësor Intensiv në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Northwestern të Feinberg.

Por trajtimi i gabuar i pacientëve me grip sikur “ata kanë Covid është potencialisht i dëmshëm dhe i kotë”, paralajmëron Singer.

Pse duhet bërë vaksina e gripit?

Mjekët theksojnë se duhet që fëmija juaj të vaksinohet ndaj gripit të zakonshëm, gjë që idealisht duhet të bëhet përgjatë muajit të tetorit.

Diçka e tillë, në këtë sezon gripi është më e rëndësishme se kurrë më parë, për shkak të pandemisë COVID-19.

Për mjeken infeksioniste Alma Hoxha, ndërsa COVID-19 është prezent, gripi ende nuk ka trokitur. Por virozat e stinës janë në prag dhe ky është momenti më i mirë për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.

“Akoma nuk është periudha e gripit, por tani është fiks koha e vaksinimit nga gripi, gjë që ka më shumë rëndësi se vitet e tjera”, - shprehet ajo për gazetën “Si”.

Hoxha vëren se tani që fillojnë virozat e stinës është mirë që vaksinimi të kryhet, sidomos për grupet e riskut e mundësisht për të gjithë fëmijët mbi 6 muajsh.

“Është mirë që vaksinimin ta bëjnë fëmijët mbi 6 muajsh dhe sidomos popullata e riskuar, ata me sëmundje të tjera.”,-  vijon Hoxha.

Bërja e vaksinës është e rëndësishme, pasi fëmijët mund të sëmuren rëndë nga gripi, veçanërisht nëse nuk janë vaksinuar kundër tij. Gjatë sezonit të gripit të vitit të kaluar, 188 fëmijë nën 19 vjeç vdiqën nga ndërlikimet nga gripi, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve- CDC.

Në mënyrë tipike, rreth 80% e fëmijëve që vdesin nga gripi nuk janë të vaksinuar. Kjo është arsyeja pse fëmijët e moshës nga 6 muaj e lart duhet të bëjnë një vaksinë gripi para fillimit të sezonit të gripit çdo vit.

Edhe nëse fëmija juaj ka pasur COVID-19, ai përsëri mund të marrë një dozë vaksine kundër gripit sapo simptomat të zhduken, nëse fëmija nuk është vaksinuar më parë.

Vaksina mund t'u jepet fëmijëve që janë të shëndetshëm, por edhe fëmijëve me probleme mjekësore.

“Fëmijët me probleme të caktuara mjekësore (sëmundje të zemrës ose mushkërive, mbipesha, diabeti ose sëmundja e qelizave drapër (Anemia Drepanocitare) mund të jenë më të rrezikuar si nga COVID-19 ashtu edhe nga gripi., - theksohet nga ekspertët e shëndetësisë.

Ata theksojnë se vendi më i mirë për të bërë vaksinën e fëmijës suaj është në dhomën e pediatrit.

“Gjatë vizitës, fëmija juaj mund të bëjë vaksina të tjera, nëse është e nevojshme. Fëmija juaj gjithashtu mund të marrë çdo kujdes rutinë që nuk ka arritur ta marrë për shkak të pandemisë.”

Në fillim të pandemisë, shumë argumentuan se koronavirusi i ri ishte si gripi. Por gjithçka u përmbys kur u provua se Covid-19 ishte një sëmundje shumë më vdekjeprurëse sesa gripi dhe mbi të gjitha i paparashikueshmëm. Për më tepër, ndryshe nga gripi, Covid nuk duket aspak sezonal. Duke filluar nga kjo vjeshtë, Evropa dhe e gjithë hemisfera veriore do të duhet të përballen me sezonin e gripit dhe pandeminë në të njëjtën kohë për herë të parë. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë