Teknologji dhe Inovacion

Pse udhërrëfyesi i ri i BE-së për rrjetet sociale është më i ashpër nga sa duket

Nga Gazeta ‘Si’– Publikimi i një raporti të shumëpritur nga ekspertët e Bashkimit Europian për mbrojtjen e fëmijëve në internet pritet të sjellë rregulla më të forta për platformat e rrjeteve sociale dhe shërbime të tjera digjitale.

Raporti mbështet një moshë minimale prej 13 vjeç për aksesin në platformat online, por jo si një ndalim absolut. Ekspertët propozojnë një qasje graduale, ku fëmijët të futen hap pas hapi në botën digjitale, me mbështetjen e prindërve dhe shkollave.

Studimi u kërkua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe u hartua nga psikiatri gjerman i fëmijëve Jörg Fegert dhe epidemiologia sociale franceze Maria Melchior. Raporti ofron një qasje më të gjerë për mënyrën se si qeveritë mund të përballen me ndikimet negative të teknologjive që janë bërë pjesë e përditshmërisë.

1. Kufijtë e moshës nuk janë zgjidhja e vetme

Ekspertët nuk rekomandojnë një ndalim të prerë për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, por një tranzicion gradual.

Fëmijët nën dy vjeç duhet të shmangin ekranet, ndërsa nga mosha 3 deri në 13 vjeç përdorimi i pajisjeve me internet nuk duhet të bëhet pa mbikëqyrje.

Disa vende europiane kanë propozuar kufizime më të forta, duke vendosur moshën minimale 15 ose 16 vjeç. Franca synon të zbatojë rregulla të tilla, ndërsa Australia ka vendosur një ndalim për përdoruesit nën 16 vjeç, por zbatimi i tij ka hasur vështirësi.

Sipas ekspertëve, një ndalim i plotë mund të çojë në anashkalime dhe nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më efektive.

2. Platformat duhet të provojnë se janë të sigurta

Një nga rekomandimet kryesore është që përgjegjësia për sigurinë e fëmijëve të kalojë më shumë te kompanitë teknologjike.

Platformat duhet të tregojnë fillimisht se kanë mekanizma mbrojtës për të miturit, përpara se t’u lejohet aksesimi i tyre.

Komisioni Europian e krahason këtë me industrinë automobilistike: prodhuesit duhet të garantojnë sigurinë e makinave, jo t’u kërkohet përdoruesve të mbrohen vetë.

Kjo qasje mund ta vendosë sigurinë online të fëmijëve më afër rregullave të mbrojtjes së konsumatorit.

3. Rregullat nuk duhet të kufizohen vetëm te rrjetet sociale

Raporti nuk fokusohet vetëm te platformat sociale, por edhe te shërbime të tjera digjitale, si chatbotët me inteligjencë artificiale dhe lojërat online.

Ekspertët sugjerojnë që kufizimet të lidhen jo vetëm me moshën e përdoruesit, por edhe me funksione të caktuara, si algoritmet e rekomandimeve dhe “scroll”-i pa fund, të cilat janë krijuar për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë online.

4. Ndryshimi do të kërkojë kohë

Ekspertët paralajmërojnë se asnjë masë nuk do ta zgjidhë menjëherë problemin.

Qëllimi afatgjatë është krijimi i një interneti më të sigurt për të gjithë, ndërsa kufizimet e moshës janë vetëm një masë e shpejtë mbrojtëse.

Sipas von der Leyen, ndryshimi kërkon kohë dhe një transformim kulturor në mënyrën se si shoqëria i qaset përdorimit të teknologjisë.

5. BE nuk do të imponojë një rregull të vetëm për të gjitha vendet

Pas një viti debatesh mes Brukselit dhe vendeve anëtare për atë se kush duhet të vendosë kufijtë e moshës, raporti propozon një kompromis.

Ai sugjeron një standard minimal europian prej 13 vjeç, por u lejon vendeve anëtare të vendosin kufij më të lartë, duke marrë parasysh kushtet dhe politikat e tyre kombëtare.

Në thelb, raporti nuk propozon një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për fëmijët, por një model ku platformat mbajnë më shumë përgjegjësi dhe të miturit futen gradualisht në botën digjitale./ Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë