Politike

Pse komisioni për shkarkimin e Ilir Metës ishte qesharak

I mbledhur vetëm pas tre muajsh, komisioni hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, në 45 minuta mbledhje, nuk u mor me gjë tjetër përveçse me leximin (20 minuta) të rreth 40 titujve dokumente të administruara dhe caktimin më pas të relatorëve, për të cilët ai që drejtonte mbledhjen, Ulsi Manja, nuk ishte në dijeni se ishin caktuar këtu e tre muaj më parë.

Mazhoranca vendosi t’i japë fund komisionit duke e mbyllur procesin e marrjes së provave për hetimin ndaj Presidentit, dhe do ta kaloj për votim para 30 korrikut. Ky ishte i vetmi “produkt” i mbledhjes.  

Ulsi Manja “u angazhua” gjatë gjithë mbledhjes për të plotësuar kërkesën e një prej anëtarëve të komisionit nëse raporti përfundimtar për Ilir Metën duhej të kishte nga dy relatorë për secilin kah politik apo me nga një siç ishte rënë dakord këtu e do muaj.

Pasi u ra dakord se kush është relator, debati i dytë u fokusua se kur duhet të miratohej raporti.

Ulsi Manja kërkoi që raporti (ndofta me dy qëndrime) duhet të kalojë sa më shpejt, mundësisht para të premtes, ndërsa të hënën, ata t’i jepnin “vulën” përmes diskutimit në komision të Ligjeve.

Edhe në këtë rast i vetmi “shqetësim” i komisionit ishte nëse relatorët do të mund ta mbaronin raportin deri të premten, a do mund ta lexonin anëtarët e tjerë të komisionit në fundjave, për të dalë pastaj “faqebardhë” të hënën me një qëndrim ose dy. 

I vetmi lajm ishte doli nga Bashkim Fino ku ndër radhë gjatë diskutimit për procedurë tha se raporti mund të miratohej, por edhe mund të rrëzohej.

Pra, pas tre muajsh nga mbledhja e fundit, në më pak se një orë diskutim, (për një çështje që kanë më shumë se një vit që flasin), anëtarët e komisionit radhitën vetëm tituj dokumentesh (përfshirë edhe raportin e fundit të Komisionit të Venecias) morën e dhanë me njëri- tjetrin se kush do jenë relatorët dhe në fund dolën më të paqartë nëse për “produktin” do të mblidheshin që të premten apo të hënën do e thoshin fjalën e fundit. Kaq.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë