Futboll

Pse po rritet presioni që Suning të shesë Interin

Raportimet se Suning po kërkon të shesë Interin janë rritur sepse koha po ikën dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të shlyhet një huazim prej 275 milionë eurosh që klubi e kishte marrë nga Oaktree dhe duhet ta kthejë brenda 20 muajve.

Gazeta “Libero” shkruan se pronarët e klubit i kanë dhënë “Goldman Sachs” mandatin për të gjetur një blerës të ri, por “Il Sole 24 Ore” ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj.

Kjo gazetë këmbëngul se lidhja me “Goldman Sachs” është e njëjta e krijuar dy vjet më parë, kur Suning ishte afër shitjes së Interit te BC Partners.

Ndryshimi tani është se koha po mbaron, sepse atyre u kanë mbetur vetëm 20 muaj para afatit për të shlyer huanë prej 275 milionë eurosh të marrë nga fondi amerikan i investimeve Oaktree.

Kjo kredi është dhënë me një normë interesi 12 për qind.

Suning gjithashtu duhet të paguajë obligacionet prej mbi 400 milionë eurosh me interes 6.75 për qind.

E gjithë kjo, duke pasur parasysh se klubi po shkon me humbje, është e pamundur dhe biznesi në Kinë gjithashtu nuk është rikuperuar plotësisht që nga pandemia.

Prandaj, duket se Suning do të duhet të shesë Interin deri në vitin 2024 ose të rrezikojë të njëjtin fat që pati Yonghong Li me Milanin, kur ai dështoi në pagesat e huazimit dhe Elliott Management mori në mënyrë efektive klubin e Serie A. /telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë