Libra

Pse përrallat janë, në fakt, histori horrori

Penny Sarchet/ New Scientist – Na ishte njëherë një vajzë, aq e ëmbël dhe e sjellshme sa të gjithë e donin. Kështu nis rrëfenja e Kësulëkuqes. Mund të mendosh se e njeh, por cilin version? Në përrallën që të është rrëfyer si fëmijë, a ishte Kësulëkuqja që ia punoi ujkut apo ishte druvari i pyllit që i erdhi në ndihmë? A u nxor gjyshja e gjallë nga stomaku i ujkut apo u tret aty? A u fut vajza në shtrat me ujkun? A ishin fatkeqësitë e saj thjesht fat i keq apo po i kërkonte vetë? Njerëz nga të gjitha kulturat i rrëfejnë njëri-tjetrit përralla dhe e njëjta histori shpesh merr një larmi formash, në anë të ndryshme të botës. Joshja universale e këtyre rrëfenjave fantastike i atribuohet shpesh idesë se përmbajnë mesazhe paralajmëruese: në rastin e Kësulëkuqes, të dëgjojë mamanë, të mos shmanget nga rruga dhe të mos flasë me të panjohurit. “Ajo që mund të na duket interesante në këtë histori mund të jetë se ka brenda informacion të rëndësishëm për mbijetesë”, ka thënë antropologu Jamie Tehrani nga Universiteti Durham, në Britani. Por kërkimi i tij sugjeron ndryshe. Duke eksploruar sesi përralla kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar ndërsa janë përhapur mes kulturave, ai beson se ka zbuluar çfarë i bën ato vërtet tërheqëse. “Kemi këtë hendek të madh në njohurinë tonë rreth historisë dhe parahistorisë së rrëfimtarisë, pavarësisht faktit se e dimë që ky zhanër është shumë i lashtë”, thotë Tehrani.


Kjo nuk i ka ndalur antropologët, folkloristët dhe të tjerët të nxjerrin teori për të shpjeguar joshjen dhe rëndësinë e përrallave në shoqërinë njerëzore. Tani, Tehrani ka gjetur një mënyrë për të testuar këto ide, duke huazuar një teknikë nga biologët evolucionistë. Për të bërë funksionale historinë evolucioniste, zhvillimin dhe marrëdhëniet mes grupeve të organizmave, biologët krahasojnë karakteristikat e specieve të gjalla në një proces të quajtur analiza filogjenetike. Tehrani ka përdorur të njëjtën qasje për të krahasuar versionet e lidhura të përrallave për të zbuluar sesi kanë evoluar dhe cilët elementë kanë qenë më të qëndrueshmit. Analiza e tij fokusohet tek Kësulëkuqja dhe shumë paraqitjet e saj, që përfshijnë të tjera përralla të Perëndimit të njohura si “Ujku dhe Fëmijët”. Duke rrjetëzuar koleksionet akademike për variantet e këtyre dy rrëfenjave dhe historive të ngjashme nga Afrika, Azia Lindore dhe rajone të tjera, ai doli me 58 histori nga tradita gojore. Me t’u vendosur analiza e tij filogjenetike,  ai përdori të njëjtat metoda për të eksploruar sesi kanë ndryshuar, gjatë kohës. Fillimisht ai testoi disa hamendësime se cilat aspekte të historisë ndryshojnë më pak ndërsa ajo zhvillohet, duke treguar rëndësinë e tyre. Folkloristët besojnë se ngjarjet janë më qendrore ndaj historisë sesa personazhet – se t’i bësh vizitë një të afërmi, vetëm për të hasur një kafshë të frikshme të maskuar, është më thelbësore sesa fakti  nëse vizitori është një vajzë e vogël apo tre vëllezër apo kafsha është tigër në vend të ujkut.


Strategjia e mbijetesës
Megjithatë, Tehrani nuk gjeti ndryshime domethënëse në normën e evolucionit të ngjarjeve të krahasuara me atë të personazheve. “Ngjarje të tilla janë shumë të qëndrueshme, sepse i dimë si thelbësore për historinë, por ka edhe shumë detaje të tjera që mund të evoluojnë lirshëm”, thotë ai. Teorinë e tij nuk tregoi  se seksioni i mesëm i një historie është pjesa më e ruajtur. Ai nuk gjeti ndryshime domethënëse në fleksibilitetin e ngjarjeve në fillim, mes dhe fund. Por surpriza e vërtetë erdhi kur ai pa elementët paralajmërues të historisë. “Studimet mbi përrallat e gjahtarëve sugjerojnë se këto narrativa kodojnë informacion shumë të rëndësishëm rreth mjedisit - material i rëndësishëm për mbijetesë”, thotë ai. E megjithatë, në analizën e tij elementë të tillë janë po aq fleksibël sa tregojnë shembujt. Çfarë është atëherë, aq e rëndësishme sa të riprodhohet nga brezi në brez? Përgjigja duket se është, tmerri: aspekte të përgjakshme dhe të frikshme të historisë, rezultuan të ishin edhe më të ruajturat, nga të gjitha. Në shumë versione europiane, për shembull, ujku i jep Kësulëkuqes një vakt me mbetjet e gjyshes. Pastaj është varianti italian ku ujku i thotë se janë tortelini, por në fakt janë veshët e gjyshes”, thotë Tehrani. Asaj i jepet  “verë” për të pirë, që është gjaku i gjyshes. Në variantet aziatike të Lindjes, disa motra kaluan natën në shtrat me një tigër dhe u zgjuan, duke e dëgjuar të përtypte kockat e më të voglës. “Këto tipare janë shumë të zakonshme në shumë versione të historisë”, thotë Tehrani. Po përse këto detaje trajtohen me kaq nderim nga rrëfimtarët, kur tipare të tjera janë zëvendësuar? Tehrani ka një ide: “Në kontekstin gojor, një histori nuk do të mbijetojë për shkak të një rrëfimtari të madh. Duhet edhe të jetë interesante kur rrëfehet nga dikush që, jo domosdoshmërisht, është rrëfimtar i madh.” Mbase darka me mbetjet e një të afërmi është aq mbërthyese sa e ndihmon historinë të mbetet gozhduese dhe popullore, pavarësisht sa keq rrëfehet.
Jack Zipes në Universitetin e Minesotës, Mineapolis, nuk është i bindur. Ai thotë se tmerri nuk është i mjaftueshëm për t’i mbajtur përrallat gjallë. ‘Edhe nëse janë gjakatare, nuk do të qëndrojnë, përveçse nëse kanë rëndësi”, thotë ai. Ai beson se tema e përjetshme e dhunës ndaj grave në histori si Kësulëkuqja shpjegon se përse vazhdojnë të ndihen të rëndësishme. Por Tehrani tregon se, megjithëse variantet perëndimore përfshijnë dhunën kundër grave, të tjerët nuk e bëjnë këtë. Në variantin kinez dhe atë japonez, shpesh të njohur si Gjyshja Tigër, personazhi i keq është një grua, ndërsa në Iran dhe Nigeri, viktima është një djalë.


Rezistenca nuk është e kotë
Mathias Clasen, nga universiteti danez i Aarhusit nuk është i befasuar nga gjetjet e Tehranit. “Historitë e frymëzuara nga tmerri shkojnë drejt e në shtratin e natyrës njerëzore”, thotë ai. “Normat dhe morali ndryshojnë, por ato që na frikësojnë, fakti se trembemi shpejt dhe se kërkojmë argëtimin e krijuar për të na frikësuar – ato janë konstante”. Jonathan Gottschall nga Kolegji Washington and Jefferson, në Pensilvani, bie dakord. “Shumë prej nesh e mendojnë veten të sjellshëm, të qytetëruar dhe njerëz që duam paqen, e megjithatë kalojmë pjesë të mira të jetës brenda botëve të historive që janë vërtet të tmerrshme dhe të dhunshme”, thotë ai. Clasen, i cili ka ndërtuar një karrierë duke u përpjekur të kuptojë magjepsjen tonë për horrorin, beson se historitë e tmerrshme na mësojnë sesi ndihesh po të kesh frikë pa pasur përjetuar rrezikun e vërtetë. “Mendoj se horrori na bën të ndërtojmë qëndresë ndaj emocioneve negative”, thotë ai. Në mënyrë ironike, kur njerëz si Charles Perrault dhe vëllezërit Grimm nisën të nxirrnin përralla në shtypin e shekullit 18 dhe 19-të, hoqën pjesën më të madhe të dhunës dhe ndodhive të pakëndshme. Shumë histori më të errëta nuk mund të përshtateshin në atë medium moralist dhe patriarkal dhe kanë humbur. Për fat të keq, nuk do ta dimë sesa imponues ishin ato histori të frikshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë