Filma

Pse njerëzit po heqin dorë nga filmi aq i pritur “Joker”

Të dielën në darkë, aktorja Busy Philipps postoi një foto të vetes në instagram ku shfaqej me një fytyrë të nxirë nga shpëlarja e makeup-it me mbishkrimin : “Të jem e sinqertë, ky është maksimumi hapi më i afërt që mund të marrë për të parë filmin ‘Joker’”. Përveç faktit që ky film fitoi 96 milionë dollarë që në fundjavën e parë që u publikua dhe theu rekordet e shitjes së biletave duke u bërë numri një në zyrën e shitjeve, dhe ne na duhet të themi të njëjtën gjë, pasi gjatë javëve të fundit filmi duket se po përcjell një mesazh ndaj djemve të bardhë që fyhen në mënyra të ndryshme.

https://www.instagram.com/p/B3TNg6nAoq6/?utm_source=ig_web_copy_link

Protagonisti i filmit, Joaquin Phoenix, u pyet gjatë një interviste në fund të shtatorit nëse filmi i cili është një portret vrasjesh masive mund “të përfundojë duke inspiruar pikërisht njerëzit për të cilët ai flet dhe të ketë rezultate tragjike”. Joaquin doli direkt nga intervista pas kësaj pyetjeje dhe nuk u kthye për një orë. Kur u kthye, aktori ende nuk ishte i sigurt për përgjigjen, por ai shpjegoi se e kapi paniku pasi nuk e kishte konsideruar një problem të tillë më parë.

“Warner Bros”, studioja e cila realizoi filmin, bëri një deklaratë në 24 shtator ku tha : “Mos bëni asnjë gabim, as personazhi i trilluar Joker dhe as filmi nuk është një nxitës i dhunës në jetën reale të asnjë lloji. Nuk është qëllimi i filmit, prodhuesve të tij apo studios që ta portretizojnë këtë personazh si një hero”. Por studioja edhe pas kësaj deklarate vazhdoi ti shmangte mediat gjatë premierës së filmit në Hollywood. “Tapeti ynë i kuq është vetëm për fotografët”, tha dikush nga studioja për “Variety”. “Shumë gjëra janë thënë për Joker-in dhe ne thjesht ndjejmë se është koha që njerëzit të shohin filmin”. Mesa duket prodhuesit e këtij filmi nuk e kishin problem të bënin një film që mund të nxisi dhunën, por e kanë problem të flasin për të.

Joaquin Phoenix në rolin e tij si Joker

Drejtori i filmit, Todd Phillips, i cili ka bërë edhe filma si “The Hangover” apo “Old School” tha se ai krijoi personazhin e Joker pasi kultura problematike e ka shkatërruar aftësinë e tij për të qënë gazmor. “Kishte artikuj që argumentonin se pse komeditë nuk funksionojnë më – jua them unë pse, sepse të gjithë djemtë gazmor thonë ‘Nuk dua ta bëj këtë, nuk dua t’ju ofendoj’”. Disa fansa bënë postime kritike në twitter mbi filmin, ndërkohë që të tjerë thuhet se gëzoheshin dhe duartrokisnin gjatë skenave të vrasjeve duke shkaktuar që disa të tjerë të largoheshin nga salla e kinemasë. Dy burra u arrestuan në Chicago pasi filluan të tymosnin dhe të bënin shumë zhurmë. Ndërkohë që në disa kinema u rrit siguria gjatë shfaqjes së këtij filmi, disa të tjera e ndaluan fare shfaqjen e tij.

Po në Shqipëri si u prit Jokeri?

Një vajzë e cila ka parë filmin “Joker” gjatë fundjavës kur ai u publikua në kinematë e vendit ka bërë një analizë mbi gjendjen që shkaktoi ai tek njerëzit përreth. Në kinemanë Cinneplex e cila ndodhet në qendrën tregtare Teg radha arrinte deri tek dyqani më i largët i katit dhe ata që prisnin për të parë filmin ishin kryesisht të rinj. Brenda në sallë, mbizotëronte paksa zhgënjimi i njerëzve të cilët mesa duket prisnin një film komik por në të vërtetë u përballën me të qeshurat e sëmura të Jokerit të cilat vinin si pasojë e sëmundjes së tij mendore.

Ka njerëz që lanë sallën dhe disa që erdhën me vonesë por nuk u përballën me atë që prisnin. Skenat me batuta ishin të pakta dhe njerëzit përfitonin nga ky rast për të qeshur me të madhe. Joker është një film që ka si synim të zvogëlojë pabarazitë sociale kudo në botë dhe indiferencën për të vepruar kundër tyre. Por, autorët e filmit e përcjellin këtë mesazh në një mënyrë kërcënuese e cila ndikon direkt në gjendjen psikologjike të njerëzve dhe nxit dëshirën për vënien e drejtësisë.

Ashtu si edhe jashtë shtetit, edhe në Shqipëri ka shumë Jokera që qëndrojnë të shtypur dhe ky film mund të jetë pikërisht alarmi për ti zgjuar. Me siguri, pasi panë filmin, qindra të rinj shqiptarë u larguan nga salla e kinemasë me shpresën se një ditë do mund të vënë drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë