Ushqim

Pse njerëzit paguajnë sa qimet e kokës për ushqime të thjeshta?

Në Serendipity3 në Nju Jork shërbehet një akullore e mbuluar me fletë ari të ngrënshme 23 karat, havjar dhe orkide sheqeri. Duhet ta porosisësh 48 orë para dhe kushton 1000 dollarë.

1000 dollarë janë shumë më tepër sesa Chantha Thach, trajnere personale, mund të imagjinonte të shpenzonte për një akullore.

"Për mua, 1000 dollarë janë qiraja e dikujt, ndoshta jo qiraja e një shtëpie në Nju Jorkut, por qiraja e dikujt më në periferi", thotë ajo.

Përsëri, ajo thotë se kur e ka provuar akulloren për herë të parë në dhjetor të 2019, e kuptoi se ia vlente çdo qindarkë.

“Padyshim që ishte ëmbëlsira më e mirë që kam ngrënë ndonjëherë në jetën time".

Ky lloj vlerësimi është pikërisht ajo për të cilën është krijuar pjata. Kjo akullore u fut në rekordet Guinness në 2004. Restoranti gjithashtu mban rekordet për sanduiçin më të shtrenjtë, qumështin më të shtrenjtë dhe, që nga korriku 2021 për patatet e skuqura më të shtrenjta.

Restoranti nuk është i vetmi në ndjekjen e ekstravagancës së kuzhinës. Në Voorthuizen, Holandë, restoranti De Daltons bëri një burger prej 5000 eurosh muajin e kaluar. Në Las Vegas, po shitet një biftek për 1000 dollarë.

Ndërsa shumat e mëdha për një pjatë mishi ose një pjatë patate të skuqura mund të duket qesharake për disa, këto pjata janë një truk efektiv marketingu, siç tregohet nga listat e pritjes javore dhe videot e stilit "E provova" në YouTube që grumbullojnë dhjetëra miliona shikime. Edhe pse pandemia ka zbehur mundësitë (dhe, në shumë raste, orekset) për konsum, pse këto artikuj me buxhet të madh mbeten kaq të njohura?

Për Serendipity3, patatet e skuqura të shtrenjta kishin për qëllim të nxisnin emocionet rreth rihapjes së restorantit pas më shumë se një viti rinovimesh dhe mbylljesh të lidhura me pandeminë. Përtej kritikave, shumë shpejt u krijua një listë pritjeje 10-javore.

Mënyra e publicitetit ishte e suksesshme dhe nuk është aspak çudi për Aaron Allen, themeluesin e Aaron Allen & Associates, kompani konsulentë për restorantet në të gjithë botën.

“Prezantimi i një produkti me një detaj që bie në sy, në këtë rast çmimi, është një mënyrë e shkëlqyeshme për të tërhequr vëmendjen”, thotë ai.

Tani, në klimën post-pandemike, njerëzit janë të “etur” për të provuar gjëra të reja dhe për të festuar në çdo rast.

Ky ndryshim në qëndrimet e konsumatorëve po inkurajon gjithashtu më shumë restorante të shtojnë pjata të mrekullueshme, të shtrenjta.

Sipas Anat Keinan, profesor i marketingut në Universitetin e Bostonit, Amerikë, njerëzit mund të jenë më të gatshëm të kënaqen kur rrethanat i shtyjnë drejt një mendimi më afatgjatë. Në hulumtimin e saj, ajo ka zbuluar se kur i pyesni njerëzit për keqardhjet dhe përparësitë e tyre në një afat të shkurtër, ata kanë tendencë të përqendrohen në shqetësime të tilla si të mos punojnë shumë, të mos mbajnë dietë ose të mos kursejnë para mjaftueshëm. Nga ana tjetër, kur u kërkoi atyre të mendojnë përsëri gjatë pesë ose 10 viteve të fundit, ose të shikojnë drejt së ardhmes, ata priren ti japin përparësi dhe të pendohen që kanë humbur përvojat e këndshme.

Rrethanat si udhëtimi, si dhe ngjarjet kryesore si pandemia, inkurajojnë këtë lloj perspektive. Njerëzit bëhen më të prirur për të thënë: "'Oh, e di çfarë, nuk dua të humbas mundësitë për të qenë i lumtur dhe për të pasur këto përvoja të veçanta me familjen time, me miqtë e mi", thotë Keinan.

Kjo u lejon atyre të konsumojnë një ushqim të shtrenjtë pa u ndjerë fajtorë.

Këto pjata janë të veçanta në çdo detaj dhe kjo ndihmon më shumë në anashkalimin e ndjenjës së fajit.

Klientët e shohin konsumimin e një produkti të shtrenjtë si një përvojë të veçantë, që nuk të vjen shumë herë në jetë.

“Mendova që është një moment i veçantë e prandaj nuk u shqetësova për paratë”, thotë ajo.

"Të gjithë e dinë se si është të hash një hamburger", thotë Leigh Caldwell, ekonomist.

"Ka klientë që nuk porosisin produktin e shtrenjtë që ka një restorant në menu, mjaftohen me faktin se do të hanë një vakt në atë restorant”.

Ndërsa pandemia vazhdon të kufizojë mundësitë e shpenzimit të konsumatorëve, çdo udhëtim dhe vakt në restorant tani duket, për shumë njerëz, si një rast i veçantë. Pra, përderisa klientët janë në humor, pse të mos e mbushin boshllëkun me fletë ari dhe havjar?

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë