Futboll

Pse në SHBA femrat luajnë më mirë se meshkujt, por paguhen më pak?

Me kapele bejsbolli dhe pijet karakteristike amerikane tifozët nga SHBA shijuan një verë spektakolare futbolli këtë muaj në Francë. Kombëtarja amerikane e femrave në futboll arriti të fitonte për herë të katërt titullin kampion botë, duke u konfirmuar si dominuese absolute. Këtë kampionat, kombëtarja e SHBA e kaloi fazën e grupeve me një rezultat të përgjithshëm prej 18 gola të shënuar dhe 0 të pësuar, një total i arritur më së shumti nga fitorja rekord 13-0 ndaj Tailandës.

Ky sukses në fushën e blertë, megjithatë, është dëmtuar shumë nga polemikat jashtë fushës nëpër gjykata. Anëtaret e ekipit të femrave të Shteteve të Bashkuara protestuan në Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars duke paraqitur një padi kundër Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara. Padia pretendon se dallimet në paga dhe kushtet e punësimit mes të ekipit të femrave dhe meshkujve shkelin Aktin e Barazisë dhe të drejtat civile. Përkundër angazhimit në "punë thelbësisht të barabartë", ekipi i femrave paguhet ndjeshëm më pak. Nëse secili ekip do të luante 20 miqësore gjatë një viti dhe do t'i fitonte të gjitha, femrat do të merrnin 99,000 dollarë, ndërsa meshkujt do të kishin një fitim prej  263,320 dollarësh.

Është e zakonshme që atletet femra të paguhen më pak se burrat. Rrogat e kombinuara të 1 693 femrave që luajnë në shtatë ligat e futbollit amerikan shkojnë deri në 41.6 milionë dollarë, 100 mijë dollarë më pak se paga prej 41.7 milion dollarë e Neymar, te Paris Saint-Germain. Por futbolli në Amerikë është i pazakontë, sepse skuadra e femrave paguhet më pak se burrat, pavarësisht se shumë njerëz u mahnitën duke parë sukseset historike dhe të paarritshme në të gjithë botën.

Diferencat e tilla të pagave janë të lejueshme nëse punëdhënësi mund të provojë se zbatohet një nga katër pikat e kodit të punës; sistemi i vjetërsisë, sistemi i meritës, sistem pagash bazuar në sasinë ose cilësinë e prodhimit ose ndonjë faktor tjetër përveç seksit. Barra e provës është mbi federatën amerikane, e cila ka shumë pak kohë për të provuar se pabarazia mund të shpjegohet legjitimisht nga një prej këtyre katër faktorëve. Federata i ka atribuuar mospërputhjen "diferencave në të ardhurat totale të gjeneruara nga ekipet e ndryshme dhe ose ndonjë faktor tjetër përveç seksit. Suksesi i padisë varet nëse kjo është e vërtetë dhe fjalën e fundit do e ketë gjykata.

Një hetim i Wall Street Journal në raportet financiare të audituara nga “USSF” sugjeron që nuk është kjo diferencë, por një tjetër. Mes viteve 2016 dhe 2018, ndeshjet e femrave gjeneronin rreth 50.8 milionë dollarë të ardhura. Meshkujt morën rreth 49.9 milionë dollarë. Por, vetëm kjo nuk mjafton për të zgjidhur çështjen. Këto para vijnë kryesisht nga shitjet e biletave, por kjo nuk është i vetmi burim i të ardhurave që i atribuohen ekipeve kombëtare. Pjesa më e madhe e saj vjen nga të drejtat e transmetimit dhe marrëveshjet e sponsorizimit, pasi që këto janë të lidhura së bashku, është e vështirë të vlerësohet se sa duhet t'i jepet çdo ekipi. Megjithatë, është e vështirë të besohet se skuadra e meshkujve, rezultati më i mirë i të cilës ka qenë vendi i tretë në Kupën e Botës 1930, të mund të krahasohet me 4 kupat botërore te femrave.

Në fillim të Kupës në Francë, 28 lojtaret femra ranë dakord të ndjekin ndërmjetësimin me federatën, pasi të përfundojë turneu. Mosmarrëveshjet ligjore mbi pagën e barabartë janë duke u zhvilluar pasi që pesë lojtare kanë paraqitur një ankesë në Komisionin për Mundësi të Barabarta të Punësimit në mars të vitit 2016. Nëse në fillim të kësaj kupe bote kishte ende nga ata që dyshonin për sukseset e këtij ekipi, tani me katër yje në fanellë nuk ka më dyshime dhe diçka duhet të ndryshojë. Lëvizja drejt këtij qëllimi pritet të vijë shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë