Më të mirat 2022

Pse medaljet e Mbretëreshës Luizë dallojnë nga të tjerat

Fatjon Rupi – Mbretëreshë e vërtetë, siç quhet edhe vetë sporti që ajo përfaqëson. Atletika shqiptare ka divën e saj, që na ka sjellë medaljen e kampiones së Europës. Askush si ajo në histori, ndërsa medaljet e saj janë të veçanta. Vërtet të veçanta.

Ka diçka speciale në çdo triumf të Luiza Gegës, në çdo medalje që ajo fiton. Çdo metër nga ato 3000 që atletja bë, është një emocion më vete. E arta e Europianit që Luiza fitoi të shtunën në mbrëmje me një kohë rekord për kompeticionin është ajo që tregon më mirë se medaljet e atletes kuqezi dallojnë nga ato të sportistëve të tjerë.

Luiza Gega pas triumfit në Europian. Gazeta Si, 21 gusht 2022

Fotoja e saj pushtoi rrjetet sociale në pak sekonda. Komente të pafundme e të sinqerta. Sepse përveç politikanëve kryesorë, që nuk i falin të tilla raste, reagimet të panumërta kishte nga gjithë sportdashësit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Popullaritet i jashtëzakonshëm.

Kjo është një nga arsyet kryesore që i bën medaljet e Mretëreshës të veçanta. Por medaljet e Luizës kanë një shije ndryshe edhe për arsye të tjera.

Janë mbi të gjitha medalje të pastra. Luiza ka shumë vite që garon në nivel të lartë dhe e ka rritur sistematikisht përformancën. Por asnjëherë nuk ka pasur hije dyshimi për pastërtinë e medaljeve të saj.

Nuk janë si medaljet e peshëngritjes, shpesh të nxira nga dopingu. Si për ironi të fatit, ditën që Gega u shpall kampione Europe, u mësua lajmi i dopingut të peshëngritëses Evangjeli Veli. Kampione Europe pak muaj më parë, ndërsa tani në qendër të skandalit të dopingut.

Medalje në mitingje të ndryshme ndërkombëtare, e pesta në Botëror dhe e tani Kampione Europe. Luiza Gega ka arritur gjithçka falë sakrificës dhe mundit të saj në çdo kohë. Bashkë me trajnerin Taulant Stërmasi.

Për këtë arsye ka edhe një lloj simpatie dhe empatie kolektive për atleten tonë të artë. Puna e saj meriton vlerësim maksimal. Edhe pse nuk preferon të jetë në qendër të vëmendjes, ajo gëzon një popullaritet të madh jo vetëm në ambientet sportdashëse.

Edhe për shkak të personalitetit të saj, madaljet e Luizës dallojnë nga të tjerat. Gjithmonë falënderuese dhe mirënjohëse për ata që e mbështesin. Asnjë ‘rrahje gjoksi’, apo viktimizim. Vetëm punë, vullnet i hekurt dhe ego sportive, fatmirësisht të shpërblyera me rezultate dhe medalje.

Medaljet e Luizës dallojnë edhe nga çdo medalje ‘e importuar’ e Shqipërisë. Pavarësisht vlerësimit për çdo sportist që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, medaljet e çeçenëve të mundjes, rusit të gjimnastikës apo italianes së skive, nuk mund të jetë kurrë kaq të bukura sa ato të Luizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë