Analize

Covid-19 është përhapur aq shumë sa njerëzit nuk e dinë nga janë infektuar

Ndërkohë që rritje rekord e rasteve të reja me Covid-19 po godet mbarë botën, shumë autoritete të shëndetit publik po paralajmërojnë që koronavirusi tani është kaq i përhapur sa askush nuk e di se ku apo nga kush infektohet.

Në SHBA, numri i rasteve të reja e tejkaloi 177,224 të infektuar të premten, duke vendosur një rekord ditor që eklipsoi numrin më të lartë ditor të rasteve të mëparshme në pranverë dhe verë. Numri i infeksioneve të reja ishte më i ulët të shtunën, 166,555, ndërsa ai i viktimave arriti në 1,300, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins. Numri i njerëzve të shtruar në spital me Covid-19, ndërkohë arriti në 69,455.

Në valën e parë, në SHBA, vatrat kryesore ishin qytete të tilla si Nju Jork dhe Chicago, ose shtete të populluara si Florida dhe Teksasi. Shumë prej shpërthimeve atëherë ishin të lidhura me udhëtarët që ktheheshin nga përtej detit ose të ashtuquajturat ngjarje mbizotëruese të tilla si konferenca, dasma dhe mitingje.

Tani, virusi është kudo. Njerëzit po infektohen jo vetëm në tubime të mëdha, por kur ulin sado pak vigjilencën duke mos mbajtur maskë, ndërkohë që ndjekin rutinën tyre të përditshme ose në ambiente më të vogla shoqërore që ata i mendonin si të sigurta, shpesh midis familjeve të tyre ose miq të besuar.

"Ky është padyshim një fenomen mbarëkombëtar", thotë Michael Osterholm, drejtor i Qendrës për Kërkimin dhe Politikën e Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës dhe është anëtar i bordit këshillimor për Covid-19 të presidentit të zgjedhur Joe Biden. "Brenda një shteti apo qyteti kemi shumë mini-epidemi".

Megjithëse, qëndrimi në spital është më i shkurtër dhe më pak njerëz po vdesin sesa në pranverë. Mesatarja shtatë ditore e vdekjeve të reja ditore Covid-19 në SHBA ishte mbi 1.000 javën e kaluar, një mesatare ishte ende shumë poshtë nivelit më të lartë të parë në Prill kur mesatarja shtatë-ditore arriti në 2,200.

Modeluesit e sëmundjeve parashikojnë një dimër të vështirë përpara, edhe pse shumë gjera do të varen nga masat që marrin autoritetet, bizneset dhe individët.

Disa shtete amerikane ndërmorën hapa të rinj javën e kaluar, duke përfshirë kufizime më të rrepta për lëvizjen dhe mbledhjen e qytetarëve. Në Uisconsin dhe Chicago, zyrtarët këshilluan qëndrimin në shtëpi, ndërsa guvernatori i Vermontit ndaloi të gjitha mbledhjet shoqërore publike dhe private jashtë anëtarëve të së njëjtës familje.

“Izolimet totale mund të mos jenë të nevojshme”, thotë Celine Gounder, specialiste e sëmundjeve infektive."Unë mendoj se në këtë pikë ne vërtet dimë mjaftueshëm për mënyrën si sillet virusi dhe nuk do të duhet të jemi kaq drakonianë në masat që marrim".

Përhapje në komunitet

Shumë udhëheqës kanë hezituar të kthehen në bllokimet e gjera të vendosura në pranverë, n për shkak të pasojave të rënda ekonomike dhe financiare për bizneset dhe publikun. Pandemia tashmë ka kushtuar miliona vende pune vetëm në SHBA dhe Europë dhe ka dëmtuar prodhimin global.

Epidemiologët përmendin disa faktorë për rritjen e rasteve, si moti më i ftohtë që i detyron njerëzit të rrinë në ambiente të mbyllura, duke përfshirë baret dhe restorantet; kthimi i studentëve në kampuset e kolegjit; mesazhet e përziera në lidhje me rreziqet e virusit dhe lodhjen nga pandemia.

Zachary Mathes dhe Sarah Katz ftuan dy miq të ngushtë, duke u ulur në distancë jashtë shtëpisë së tyre në Pittsburgh. Vigjilent për muaj të tërë në lidhje me mbrojtjen nga virusin, ata menduan se darka e përbashkët ishte me rrezik të ulët.

Kur bënte ftohtë jashtë, të katërt shkuan të ngroheshin dhe të hanin në kuzhinë, duke hequr maskat.
Ditë më vonë, ata mësuan se të ftuarit kishin rezultuar pozitivë për Covid-19. Në atë kohë, Katz, dhe Z. Mathes, një muzikant 29-vjeçar, kishin pa simptoma. "Ne menduam se po bënim gjithçka siç duhej, por përsëri u sëmurëm", tha Katz, e cila po kalon sëmundjen në shtëpi me burrin e saj.

Virusi, që është përhapur për muaj të tërë, tani është më i ngulitur në komunitete, thonë epidemiologët.

"Kur keni kaq shumë raste në komunitet, sa është shumë e lehtë të infektoheni pa dashje ndërsa bëni lëvizjet tuaja të përditshme," thotë Ali Khan, epidemiolog dhe dekan i Kolegjit të Shëndetit Publik në Universitetin e Nebraskës. “Tani nuk ka më vatra të përhapjes së virusit.”

Kjo e ka bërë më të vështirë për njerëzit të tregojnë se ku dhe si janë infektuar dhe për autoritetet e shëndetit publik të gjurmojnë dhe ndalojnë shpërthimet e rasteve të reja.

Geoffrey Wardle, një avokat nga shteti amerikan i Iowas, dyshon se ai e mori virusin ndërsa shoqëronte prindërit e tij në funeralin e një të afërmi i cili vdiq në një aksident automobilistik. Por ai tha se mund ta ketë marrë edhe gjatë një udhëtimi në fundjavë me gruan e tij në Kaliforni.

"Unë u përpoqa të isha i kujdesshëm, por mesa duket nuk mjaftoi", u shkruante Z. Wardle punonjësve pasi të merrte rezultatet e tamponit. Ditë më vonë testi i gruas së tij konfirmoi se ajo ishte gjithashtu e infektuar. Djali i tyre adoleshent nuk ishte.

Guvernatorja e këtij shteti Kim Reynolds, e cila i ka rezistuar mbajtjes së detyrueshme të maskës në të gjithë vendin, javën e kaluar ndaloi mbledhjet e më shumë se 25 personave, përveç nëse pjesëmarrësit kanë veshur maska. Kritikët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme.

"Ne jemi duke e vrarë ekonominë me mungesën e këtyre masave të thjeshta", tha Dr. Perencevich.

Por znj. Reynolds ka hezituar të vendosë kufizime më të ashpra, duke thënë se është duke zbatuar vullnetin e banorëve dhe pronarëve të bizneseve të vogla që i kanë thënë se "nuk mund të përballojnë një mbyllje tjetër". /Wall Street Journal/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë