Politike

Pse emri i Luan Ramës po “harrohet” nga LSI në zgjedhjet e Prillit për Vlorën

Zv-kryetari i LSI-së, Luan Rama kryeson listën e kandidatëve të kësaj force politike për qarkun e Vlorës në zgjedhjet 25 Prillit.

Luan Rama prej kohësh është zhvendosur në Vlorë, aty ku është stacionuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ky i fundit në fakt, nuk la pa përmendur dhe thurur elozhe jo për të, por për Bujar Leskajn kandidatin demokrat që drejton listën e PD për qarkun e Vlorës.

Emri i Luan Ramës nuk ishte pjesë e fjalorit të Metës në prononcimet e tij për mediat gjatë ditës së dielë në Vlorë.

Edhe Petrit Vasili në anën tjetër “ka harruar” të përmendë kandidatin kryesor që drejton LSI në këtë qark.

Përmes një postimi në Facebook, Vasili flet për fushatën e LSI-së në Vlorë, ku ishte i pranishëm edhe vetë.

“Vlora e ka vulosur fitoren e LSI!

Dinjiteti vlonjat i listës së LSI e dërrmon listën e Astirit të batakçinjve Qendro e Gjiknuri.

I nderuar të isha mes kandidatëve të listës së shkëlqyer të LSI dhe të prekja me dorë uraganin e fitores.

Si vlonjat e di shumë mirë, që Vlora e ka marrë vendimin e saj absolut:

Vlora do të votojë Grisejda Myslimin vajzën e saj të mrekullueshme pedagogen dhe misionaren.

Vlora do të votojë Dikens Bushaj të riun e shkëlqyer patriot.

Vlora do të votojë Anxhela Shenaj vajzën dinjitoze të Gjormit dhe Vlorës.

Vlora do të votojë Liri Demen gruan e jashtëzakonshme dhe të nderuar.

Rilindja do të provojë humbjen më të hidhur në Vlorë!”, shkruan Vasili në faqen e tij Facebook.

Vasili e shoqëron komentin e tij edhe me një foto, ku nuk duket gjëkundi Luan Rama.

Foto e postuar nga Petrit Vasili gjate prezantimit te kandidateve ne Vlore

Në një tjetër postim të tij, Petrit Vasili flet për një “takim të shkëlqyer” me një tjetër kandidat të LSI për këtë qark, Gjergji Mano

Emri i Luan Ramës në fakt nuk ka qenë as pjesë e targetit të kritikave apo sulmeve verbale të Damian Gjiknurit gjatë takimeve në Vlorë, i cili është fokusuar vetëm tek Ilir Meta.

I pyetur për këtë amulli, Luan Rama është përgjigjur se vijon të jetë zëvendës kryetari i LSI-së dhe se kryeson listën e kandidatëve për deputetë në Vlorë.

“Nuk ka asnjë ndryshim në listën e kandidatëve për deputet të listës së LSI-së në Qarkun e Vlorë, unë jam zv.kryetari i LSI-së jam drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, jam edhe numri 1 i listës së kandidatëve për deputet të LSI-së në qarkun e Vlorës. Do të jem deputeti më përfaqësues i Vlorës në Kuvendin e ri pas 25 prillit, për shkak të kësaj marrëdhënie që kam unë me partinë, dhe me qytetarët e Vlorës, nuk ka asnjë shans që ndonjë individ të mund të heqë emrin tim nga lista e kandidatëve për deputet të LSI-së në Vlorë”, reagoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë