Ushqim

Pse duhet të mësohemi me perimet ‘jo normale’

Ekspertët thonë se frutat dhe perimet do të jenë më të vogla dhe do të duken ndryshe pasi moti i nxehtë dhe thatësira ka ndikuar te të mbjellat.

Patatet, qepët, karrotat, mollët dhe lakrat kanë të ngjarë të preken më shumë.

Unioni Kombëtar i Fermerëve (NFU) në Mbretërinë e Bashkuar u ka bërë thirrje supermarketeve të pranojnë edhe produkte që nuk janë “perfekte”.

Dielli i verës e bëri misrin të shijshëm, por më të vogël se zakonisht dhe fermerëve në Mbretërinë e Bashkuar iu desh të ulnin çmimet.

Dhe lakrat e gjelbërta kanë marrë tashmë një ngjyrë të zbehtë.

Dhe të gjitha perimet që po ndryshojnë formë dhe shije së shpejti do të jenë ato që blejmë në supermarkete.

“Është shumë herët për të ditur se deri në çfarë mase do të ndikojnë temperaturat e larta në prodhimin e perimeve dhe frutave por cilësia e tyre sigurisht që do të ndikojë”, tha Jerry Knox, profesor në Universitetin Cranfield.

Ai thotë se për shembull, patatet do të jenë më të vogla dhe plot defekte.

Perimet këtë vjeshtë dhe dimër "mund të mos duken normale, por do të kenë të njëjtën shije", thotë Tom Bradshaw, nënkryetar i NFU.

"Konsumatorët janë kushtëzuar të besojnë se një patate duket në një mënyrë të caktuar. Për të zvogëluar rrezikun e rritjes edhe më të madhe të çmimeve gjatë një krize të kostos së jetesës, ne duhet të pranojmë pak më shumë perimet dhe frutat me pamje tjetër”, shton ai.

Nëpër botë, shitësit me pakicë e kuptojnë se kushtet e motit kanë qenë një sfidë dhe kanë ndërmarrë hapa për të mbështetur fermerët e tyre. Kjo përfshin zgjerimin e gamës së frutave dhe perimeve me madhësi/formë të çuditshme kur është e nevojshme", thotë Hannah Dougherty, eksperte.

Kjo thatësi do të thotë që perimet në tokë nuk mund të marrin lagështinë që u nevojitet për të vazhduar rritjen, kështu që ato rriten më ngadalë dhe nuk bëhen të përmasave të plota. Mungesa e ujit mund ta bëjë lëkurën më të ashpër ose të shkaktojë defekte.

Fermerët janë gjithashtu të shqetësuar për lulelakrat dhe brokolin që mbillen në vjeshtë.

“Fermerëve mund tu duhet të zgjedhin të sakrifikojnë disa perime, në mënyrë që të ujitin plotësisht të tjerat. Në gjithë këtë thatësirë kudo në Europë, nuk do ketë ujë mjaftueshëm për të ujitur të gjitha frutat”, thotë Knox.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë