Shendet

Pse duhet të marrim vaksinën pa u ngrohur moti?

Në një mënyrë apo në një tjetër vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të marrin vaksinën kundër Covid-19.
Tashmë nuk diskutohet më rëndësia e kësaj vaksine, por ardhja e saj sa më shpejtë.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, ka shpjeguar për Gazetën "Si" se është e rëndësishme që vaksina të vijë më parë se sa problemi të zgjidhet natyralisht e me pasoja.
"Asnjë nuk besoj se ka mendim ndryshe për faktin se vaksina sa më herët të vije aq më mirë është. Çdo dite që vonohet ne e kemi shumë të qartë se ka një numër të konsiderueshëm njerëzish që infektohen rishtazi dhe si rrjedhojë shtohet dhe numri i personave që e kanë kaluar dhe po  kalojnë virusin e per rrjedhojë bëhët e panevojshme sjellja e vaksinës së vend," shprehet Alimehmeti.


Eksperti shpjegon se duke marrë parasysh faktin se viruset respiratore kanë transmetueshmëri të lartë gjatë muajve të dimrit dhe duke ditur se shumë shpejt fillon ngrohja e motit, kuptohet se Covid-19 do të ketë një incidencë më të ulët, njerëzit do të infektohen më pak e si rrjedhojë kështu duke e bërë vaksinën më pak të "nevojshme".

"Kujtojmë edhe se kjo vaksinë merret me dy doza, domethenë një sot e një tjetër mbas 3 javësh. Pra nëqoftëse fillon vaksinimi në fund të shkurtit, përfundon në fund të marsit. Pra është shumë e nevojshme që të hyjnë sa më shpejt për popullatën e rriskuar," shpjegon epidemiologu.

Në këndvështrimin e ekspertit, duke qenë se këto ditë kemi parë numrat në rënie, kjo tregon një indikator, se një përqindje e lartë e popullatës tashmë ka qenë e ekspozuar ndaj Covid-19.
Alimehmeti shton se nuk dihet se sa sepse nuk ka një studim, por është e qartë se përndryshe nuk justifikohet rënja e shifrave kaq e madhe.
"Kjo ndoshta ka bërë të mundur hipotezimin të një vlere mjaftueshëm të lartë sa për të arritur imunitetin natyror të tufës në kuadrin e masave të ruajtura dhe nëse kjo ndodh, vaksina kthehet, njësoj si në 2009, si një masë që erdhi pasi ishte zgjidhur problemi në mënyrë natyrore," thekson eksperti.

Mënyra natyrore e zgjidhjes së problemit vijon në bazë të antitrupave që krijon imuniteti nga virusi. Për këtë proces një lajm i mirë e ka dhënë edhe një raport i fundit nga ekspertë të Shëndetit Publik në Australi.

Në studim janë ndjekur pacientë për 8 muaj rrjesht, tregon se të gjithë ata krijuan qeliza kujtesë për virusin të cilat kanë zgjatur deri ditët e fundit të raportimit, tek pacientët.
Studimi i botuar në revistëm "Science Immunology" shpjegon që pacientët të cilët kanë kalur Covid-19  janë më të mbrojtur pasi qelizat kujtesë e njohin virusin nëse do të futet në trup dhe e luftojnë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë