Politike

Rrëzohen dy kërkesat e PD për inceneratorët, Bardhi: E kanë kthyer Kuvendin në dyqan të Zotos dhe Mërtirit. PS: Nuk janë urgjente

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi të martën se Konferenca e Kryetarëve rrëzoi dy kërkesat që vinin nga opozita për mocion me debat dhe interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama për dosjen e inceneratorëve.

 “Kjo tregon shndërrimin e parlamentit nga parlamenti që mbron interesat e qytetarëve shqiptar në një dyqan që mbron interesat e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Fakti që paratë e shqiptarëve transferon të dy njerëz në arrati nuk është një çështje urgjente për Kuvendin.

Interpelanca urgjente dhe mocioni me debat janë dy kërkesa të drejta.

Sado siklet dhe hall të ketë Edi Rama mbi këtë çështje duhet të respektohet Kushtetuta dhe rregullorja. Nuk ka urgjencë thotë Kuvendi. Klodian Zoto dhe Arben Ahmetaj mund të marrin para nga buxheti i shtetit. Paratë e shqiptarëve mund të financojnë arratinë e këtyre personale. Është një çështje që për mazhorancën konsiderohet e ezauruar. Kërkesa për interpelancë kërkonte këtë gjë. Do të zbatohet Kushtetuta dhe rregullorja. Rrethi në të cilin kryetarja e kuvendit ka futur veprimtarinë parlamentare është i rrezikshëm” tha Bardhi.

Ndërsa zëvendës kryetari i grupit parlamentar në PS, Toni Gogu tha se kërkesat e opozitës për mocion me debat dhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama, nuk janë urgjente për tu diskutuar në seancën e ardhshme.

“I theksoj fjalët urgjente që i bashkonin pakicën e pakicës që kërkonin që ne të mblidheshim në seancën pasardhëse. Ne i dhamë pëlqimin kryetares. Çështjet që janë të ngjashme mund të bashkohen dhe të trajtohen bashkë. Nuk dhamë pëlqimin tonë që këto çështje duhet të hynin në seancën ardhshme. Do të vendosë Kuvendi të enjten nëse ato çështje do të përfshihen në rendin e ditës apo jo. Ne besojmë fort se aty nuk ka përmbajtje. Tani është momenti i drejtësisë për atë çështje, kur ne hapëm rrugën e komisionit hetimor, i cili sot është në duart të drejtësisë. Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë ose brenda grupeve, por për Kuvendin e Shqipërisë mendoj se urgjenca janë pensionet, studentët, shërbimi mjekësor. Për këto arsye ne vendosëm që në seancën e ardhshme të caktohet. Nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat. Besoj si parlamentar, janë çështje që po i heton drejtësia. Kuvendi e ushtroi veprimtarinë e vet me një komision gjerë e gjatë. Nuk mund të prisheshin rregullat që kemi kërkuar bashkë të krijohet një urgjencë që nuk ekziston. Përmbajtja që ajo kërkesë ka nuk ka brenda asnjë urgjencë” tha Gogu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë