Politike

PS rrëzoi dekretet e Metës për OFL e pronat. ISP: Cenim i transparencës

Mazhoranca rrëzoi në Komisionin e Ligjeve dy dekretet e Presidentit Ilir Meta që riktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin special të miratuar me akt normativ nga Qeveria për funksionimin e “Operacionit Forca e Ligjit” dhe ligjin për pronat.

Presidenti ktheu për rishqyrtim këto dy ligje me pretendimin se shkelet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri si dhe cenohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga Konventa Europian e të Drejtave të Njeriut, që Shqipëria e ka ratifikuar prej kohësh.

Gjithashtu, në rastin e ligjit të OFL-së, Presidenti thotë ai cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe vendos organin e akuzës nën ndikimin e Qeverisë përmes Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar, një organ i ngritur nga ky ligj dhe që drejtohet nga ministri i Brendshëm, e ku bën pjesë edhe organi i prokurorisë. Meta thotë gjithashtu se ligji krijon mbivendosje me legjislacionin në fuqi, duke iu referuar ligjit ekzistues antimafia.

Por, deputetët e mazhorancës e vlerësuan si të gabuar arsyetimin juridik të Presidencës. Deputetët e saj në Komisionin e Ligjeve thanë se akti normativ me fuqinë e ligjit është i harmonizuar me të gjithë legjislacionin shqiptar në fuqi dhe nuk krijon mbivendosje me ligjin antimafia. Sa i takon ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, relatori Adnor Shameti deklaroi se Komiteti i ngritur në kuadër të këtij akti dhe i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka vetëm rol koordinues dhe jo vendimmarrës. Sipas mazhorancës, vendimet i takojnë vetë sistemit të drejtësisë dhe posaçërisht SPAK-ut.

Shameti rrëzoi edhe pretendimin se akti në fjalë cenon të drejtën e pronës, duke e interpretuar aktin në përputhje me nenin 1 të protokollit të parë të KEDNJ-së, ku thuhet se askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji.

Komisioni rrëzoi edhe dekretin që ktheu për shqyrtim ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Shqipërisë. Presidenti Meta deklaron se në ligj nuk janë marrë parasysh vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Por, mazhoranca mendon se ligji i është nënshtruar një analize të gjatë vlerësimi, diskutimi dhe konsultimi për të sjellë një akt, që sipas saj i adreson të gjithë problematikat e pronësisë në vendin tonë dhe është në harmoni si me rekomandimet e Venecias, ashtu edhe me vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Dy dekretet u rrëzuan me shumicën votash, në mbledhjen që u zhvillua online për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

ISP: Transparencë e cunguar nga Parlamenti

Instituti i Studimeve Politike vëren se me platformën online të mbledhjeve, Parlamenti nuk po përmbush detyrimin kushtetutes të transparencës dhe i kërkon këtij institucioni që të zhvillojë mbledhjet “Live”.

“Shqetësimi i ngritur javën e kaluar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) mbi parregullsitë që mund të krijohen nga punimet online dhe apeli që Kuvendi të zhvillojë punime live të verifikueshme për cilindo që ka interes në monitorimin e ndjekjen e tyre, fatkeqësisht rezultoi se nuk është marrë në konsideratë nga Kuvendi. Ndaj, edhe në raportimet e djeshme në mediat televizive asnjë prej tyre nuk kishte pamje filmike ilustruese, një tregues se media nuk ka pasur aksesin e nevojshëm për verifikimin e mbledhjeve, debateve dhe vendimmarrjes, edhe në raste të tilla me rëndësi, siç ishin rrëzimi i dy dekreteve për ligjet e mësipërme, për të cilat shoqëria civile vazhdimisht ka ngritur shqetësime”, thotë ISP.

ISP vë në dukje rrezikun që praktika e punës online e kushtëzuar nga situata e jashtëzakonshme rrezikon që të cenoje edhe më tej standardet minimale të transparencës. Si shembull, ISP nxjerr për ilustrim procesverbalet e mbledhjes së parafundit të Komisionit të Ligjeve, ku mungojnë fjalët e deputetëve me arsyetimin se nuk dëgjohen, ose nuk kuptohen.

“Vetëm në një faqe ka 12 raste kur fjalitë & fjalët e relatorit të ligjit mungojnë, nuk dëgjohen ose nuk kuptohen. Ky është një dokument zyrtar dhe nëse praktika të tilla vijojnë në këtë formë, dokumenti humbet vlerën e të qenit zyrtar, aktet e miratuara humbasin vlerën e praktikës ligjore dhe vetë Kuvendi humbet shumë në besueshmërinë e punimeve dhe të produkteve ligjore të tij”, thotë Instituti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë