Politike

PS ngre grup pune për ndryshimet kushtetuese, fton PD në Këshillin Politik

Edhe pse mandati i komisionit për reformën zgjedhore  ka përfunduar e për pasojë edhe detyra e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri i ka drejtuar një ftesë opozitës jashtë Kuvendit që të mbledhë sërish këshillin të hënën pasdite si e vetmja mënyrë që ndryshimet kushtetuese që do të reflektohen në Kod të marrin edhe konsensusin e PD-LSI.

Për ndryshimet kushtetuese, mazhoranca do të ngrejë një grup punë e iniciuar nga komisioni i Ligjeve.

Ndërsa paralelisht PS do të vijojë punën me opozitën jashtë Kuvendit në Këshillin Politik.

“Siç jeni në dijeni, në seancën e datës 30 Korrik 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare. 

Këto ndryshime në Kushtetutë sanksionuan hapjen e listave të kandidatëve duke u dhënë të drejtën qytetarëve për të votuar përveç subjektit politik edhe për kandidatin e tyre të preferuar. 

Pas hyrjes së tyre në fuqi, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvend ka përcaktuar nevojën për reflektimin në Kodin Zgjedhor të këtyre ndryshimeve Kushtetuese.

Ditën e Hënë, 14 Shtator, është përcaktuar  mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor. 

Në frymën e dialogut të konsoliduar mes palëve në tryezën e Këshillit Politik, me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjerë në këtë proces, propozoj thirrjen e tryezës së Këshillit Politik ditën e Hënë, datë 14 Shtator, ora 18:00. 

Tryeza propozoj të mbahet si gjithnjë në ambientet e sallës ovale të Pallatit te Kongreseve”, thuhet në letrën zyrtare të Gjiknurit drejtuar PD dhe LSI . 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë