Sociale

Provimet në universitete do të zhvillohen online dhe në auditore në varësi të lëndëve

Ministrja e Arsimit Evis Kushi u shpreh në një konferencë për mediat se duke marrë parasysh këshillat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të kërkojë nga të gjitha universitetet që fillimisht, në ato raste ku provimi është i pamundur të zhvillohet online sipas specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale protokollin anti-Covid.

Më tej Kushi shpjegoi se universitetet duhet të shohin mundësinë për t;i dhënë të drejtën studentëve të vendosin nëse do të marrin pjesë në këtë sezon, në varësi të mundësisë apo pamundësisë së tyre në lidhje më pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë.

Gjithashtu sugjerohet që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë mes provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve, kjo do t’i ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur në këto provime.

Më tej Kushi u shpreh se Ministria, sugjeron gjithashtu që mungesat e studenteve në leksionet dhe seminaret të mos i penalizojnë ata në pjesëmarrjen në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu, Kushi shpjegoi se është e rëndësishme që ndarja e studentëve të bëhet në salla dhe grupe të ndryshme me nga 15 veta në grup dhe duke respektuar distancën e nevojshme ndërkohë që kohëzgjatja e provimeve të jetë më shumë se 1 orë.  Ministrja shtoi se duhet të që studentët dhe pedagogët të mbajnë maskën dhe ambientet të jenë të higjienizuara në mënyrë të vazhdueshme, para dhe pas çdo provimi.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë