Tokio 2020

Protestë kundër Lojërave Olimpike

Brenda Stadiumit Olimpik nuk u lejuan tifozë gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike por kjo nuk i ndaloi qindra njerëz që të mblidheshin jashtë portave të stadiumit.

Midis turmës së njerëzve që donin të ishin sa më afër hapjes së Lojërave Olimpike, kishte dhe një protestë anti-olimpike.

Protestuesit me mikrofona kënduan gjatë orës së parë të ceremonisë së hapjes. Protesta u bë si një kujtesë e kundërshtimit të publikut ndaj Olimpiadës së Tokios në mes të Covid-19.

Sondazhet publike në Japoni kanë treguar prej kohësh se shumica e qytetarëve do të preferonin që Lojërat të anuloheshin ose të shtyheshin për herë të dytë mes përhapjes së vazhdueshme të Covid-19. Në një sondazh të kryer nga Kyodo News fundjavën e kaluar, 87% e të anketuarve shprehën shqetësim rreth pritjes së Lojërave Olimpike gjatë një pandemie, ndërsa 31.2% thanë se besonin se Lojërat duhet të anuloheshin.

Situata është bërë aq e rëndë politikisht saqë edhe disa nga sponsorët më të mëdhenj japonezë të Lojërave janë distancuar nga ngjarja, duke përfshirë Toyota, e cila nuk pranoi të shfaqte një reklamë TV gjatë transmetimit televiziv në vend.

Që nga mëngjesi i së Premtes, 110 persona të lidhur me Olimpiadën kanë rezultuar pozitiv për Covid-19. Organizatorët kanë thënë se ata prisnin të shihnin disa raste pozitive dhe ata besojnë se Lojërat do të mbahen në një mënyrë të sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë