Kombetarja

Protestat ndaj Lukashenkos, lëvizje të kufizuara për Kombëtaren në Minsk

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Minsk, ku të premten luan ndeshjen me Bjellorusinë, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në kryeqytetin bjellorus është një situatë e pazakontë për shkak të protestave që kanë përfshirë këtë vend kundër presidentit Aleksandër Lukashenko. Kjo situatë ka bërë që kuqezinjtë, pas dy orësh fluturim, të izolohen në hotel.

Lëvizjet e lojtarëve dhe stafit të Kombëtares do të jenë të kufizuara për të shmangur çdo problem të mundshëm. Kuqezinjtë do të zhvillojnë nesër pasdite një seancë stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja, ku trajneri Reja do të japë udhëzimet e fundit për të tijtë. Me mungesën e Kumbullës dhe Ismajlit, mbetet për t’u parë cilat do të jenë zgjedhjet e italianit për mbrojtjen.

Një rezultat pozitiv në Minsk do të ishte shumë i rëndësishëm për Kombëtaren. Shqipëria ka në grup edhe Lituaninë, me të cilën ndeshet më 7 shtator në Tiranë, dhe Kazakistanin. Kuqezinjtë kanë shanse reale për të qenë të parët në grup dhe ndeshja e së premtes ka një rëndësi të veçantë, siç ka pohuar edhe vetë trajneri Reja në konferencë shtypi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë