Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka reaguar pas protestës së djeshme studentore para Ministrisë së Arsimit që zgjati mbi 8 orë.
Në deklaratën e tyre sindikata shpreh solidaritetin e plotë me studentët duke dënuar dhunën e djeshme ndaj tyre, teksa shton se zëri i tyre duhet të dëgjohet nga organet përgjegjëse.
“Ne e konsiderojmë zërin e studentëve një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet. Sindikata shpreh indinjatën e saj për përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse për vetëpërmbajtje, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Më tej shtohet se përshkallëzimi i situatës është pasojë e mungesës së reagimit dhe e neglizhimit të kërkesave të qytetarëve nga Qeveria dhe politika në tërësi.
“Nuk është rastësi që studentët zgjodhën të protestojnë pikërisht para Ministrisë së Arsimit. Ata nuk shkuan atje si kundërshtarë të shtetit. Shkuan para institucionit që, sipas misionit të vet, u përket atyre. Në të njëjtën derë ka trokitur edhe Sindikata e Universiteteve, me shkresë zyrtare që në mars të këtij viti, dhe as ne nuk kemi marrë përgjigje. Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale”.
Sindikata shkruan se ajo që ndodhi sot para Ministrisë së Arsimit është, mbi të gjitha, simboli i një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet ti shërbejë. Sindikata vlerson se Universiteti nuk mund të jetë spektator i heshtur kur studentët e tij kërkojnë dinjitet.
Sindikata e Universiteteve u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të ngrenë zërin dhe të qëndrojnë krah studentëve. Kërkesat për arsim cilësor, për kushte dinjitoze studimi dhe pune, si dhe për një trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë, nuk janë çështje të veçuara. Ato janë kauza jonë e përbashkët. Sindikata gjithashtu i bën thirrje Qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe të personelit akademik.
“Përgjigjet formale, heshtja apo shtyrja e mëtejshme e zgjidhjeve nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike. Nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët, atëherë duhet të hapet rruga për zgjidhje politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje