Futboll

Protesta shtyn Superioren dhe festën e Partizanit, kampionati mbyllet te enjten

Java e 35-të e Superiores, e programuar për t’u zhvilluar ditën e shtunë, është shtyrë për të dielën. Shkak për këtë shtyrje është bërë protesta që pritet të zhvillohet këtë të shtunë, sepse ajo kërkon angazhim maksimal nga ana e forcave të rendit dhe kështu do të krijoheshin probleme në stadiume për sigurinë, aq më tepër që janë ndeshjet e fundit dhe tensioni është i madh.

“Java e 35-të e Superiores, e planifikuar për t’u zhvilluar e gjitha ditën e shtunë, do të zhvillohet ditën e diel, më datë 26 maj. Në të njëjtën kohë është spostuar për një ditë dhe java e 36-të, e cila do të luhet ditën e enjte, më datë 30 maj”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së për shtyrjen e kampionatit. Superiorja do të mbyllet ditën e enjte, kur do të luhet java e 36-të dhe e fundit e kampionatit. Pra, dy javët e fundit të këtij kampionati do të luhen brenda katër ditësh.

Tifozët e Partizanit, gati për festën

Klubi i Partizanit kishte planifikuar që pas ndeshjes me Kukësin të bënte festën e titullit me tifozët, jo vetëm në stadium, por edhe në rrugët e kryeqytetit. Kjo është ndeshja e fundit në shtëpi për Partizanin, ndaj dhe festa në qytet ishte programuar pikërisht për këtë fundjavë. Por problem ishte protesta në Tiranë, kështu që tani, me shtyrjen e ndeshjeve për ditën e diel, edhe të kuqtë mund të festojnë normalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë