Ngjarje

Protesta me strategji të re, studentët ngujohen në fakultete

Sabina Veizaj - Këmbëngulja e studentëve për të arritur zgjidhjen e problemeve me universitetin vazhdon të shkojë përtej kushteve të pafavorshme atmosferike.

Nga sheshi përpara Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe Parlamentit, studentët janë zhvendosur në fakultetet e tyre me një strategji të re proteste.

Në çdo fakultet janë mbledhur grupe studentësh deri vonë në mbrëmjen e të mërkurës për të diskutuar në lidhje me se si do të përvijohej protesta për ata studentë që janë të bindur se kërkesat e tyre ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

Gjatë qëndrimit nëpër fakultete në orët e vona të mbrëmjes, studentët janë përballur me policinë.

“Policia e shtetit pa asnjë leje dhe mandat hyn në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, UT-së. Ata kërkojnë informacion se për sa kohë studentët do rrinë në fakultet. Në asnjë rregullore nuk përcaktohet orari i qëndrimit të studentit në fakultet. A mos pushteti po lëviz për të penguar organizimin studentor? A po i frikësohen idesë së ngujimit në fakultete, si formë radikalizimi të protestës studentore, pasi presioni ndaj Kryeministrit do jetë më i madh këtë herë?”- shprehet një nga përfaqësuesit e studentëve të ekonomikut.
Kurse Liri Kuçi e “Lëvizjes për Universitetin” shprehet në lidhje me prezencën e efektivë të policisë në fakultete se “Policia e shtetit, kurdoherë e gatshme për terror e dhunë në ambientet "autonome" universitare. Urdhërues: Lartëgjatësia e tij. Ai që mbështet studentët.”

E njëjta strategji proteste është ndjekur edhe tek Fakulteti i Shkencave Sociale. Pas më se dy orësh diskutim, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale bashkëvendosën që bojkoti të shndërrohet në zaptim aktiv të mjediseve të fakultetit, sipas tyre.

Përmes rrjetit social facebook, ata i bënë thirrje të gjithë studentëve që prej sot të bashkohen në fakultet duke marrë me vete libra, vegla muzikore, materiale filmike, fletore poezish etj! “Priten diskutime të gjalla, ligjërime konceptuale dhe krijimtari e pazakontë. Vërtet kemi humbur leksionet formale, por kemi fituar arsyen dhe njëri-tjetrin. Universitetin do ta bëjmë vetë!”

Siç kishin paralajmëruar, bojkoti në fakultete po vazhdon. Gresa Hasa e “Lëvizjes për Universitetin” thotë për gazetën “Si” se studentët refuzojnë të bëjnë mësim për aq kohë sa nuk merren parasysh kërkesat e tyre. “Dhe marrja parasysh e kërkesave nënkupton veprime ligjore (anulimi i Ligjit Për Arsimin e Lartë) dhe politika konkrete menjëherë më pas. Fjalët boshe dhe propaganda nuk i duhen as dreqit! Studentët kanë lajmëruar se do të vazhdojnë me bojkotin. Fakulteti i Shkencave Sociale ka bërë njoftim për zaptimin e fakultetit.Vazhdojnë diskutimet studentore në ambientet e fakulteteve në lidhje me vijueshmërinë e protestës dhe formën e saj.”- shprehet Gresa Hasa.

E njëjta mënyrë proteste vijon edhe tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Juridiku

https://www.youtube.com/watch?v=Ki_iQzoMfOo&feature=youtu.be
https://www.youtube.com/watch?v=EWwNKwKGRmQ&feature=youtu.be


Edhe tek godina e lëndëve paraklinike, studentët e mjekësisë bojkotojnë mësimin dhe lexojnë vetë në korridor.

https://www.youtube.com/watch?v=6QrmaDAloIw&feature=youtu.be

“Po mësojmë vetë, kjo është forma jonë e bojkotit." – shprehen ata.


Por disa prej studnetëve, duke menduar se Qeveria përmes 8 VKM-ve i ka përmbushur kërkesat e tyre, kanë vendosur ti rikthehen auditorëve që në ditën e dytë të sezonit të ri akademik, por ata kanë qenë të paktë në numër. Bëhet fjalë për fakultetin juridik, Bujqësorin dhe Politeknikun.

Sipas Albi Arapit, student tek Politekniku, studentët kanë vijuar bisedimet se si do të vazhdojë protest. “Po ka një numër të vogël studnetësh që kanë luhatje, pasi e kanë pasur që në fillim. Ka nga ata qe s’arrijnë ta kuptojnë Paktin për Universitetin dhe mendojnë se është zgjidhje.Edhe pse s’ka zgjidhur gjë”- thotë Albi për gazetën “Si”

Bislim Lakna i “Lëvizjes për Universitetin” është shprehur në lidhje me rezistencën studentore se anulimi i ligjit mbetet çelësi i zgjidhjes së të gjitha problematikave në lidhje me Universitetin. “Mund të artikuloheshin jo vetëm 8 kërkesa, por edhe 80 të tilla. Ama anulimi i ligjit mund të jetë çelësi i tejkalimit të të gjithë krizës. Ky ligj është i gabuar, se përveçse dërgon fonde në universitetet private, vështirëson edhe xhepin e studentëve. E vetmja arsye pse u shkarkuan disa ministra është se Rama ishte përballë një detyrimi për të shkarkuar Ministren e Arsimit. Gjithë ato protesta dhe mosfunksionimi i universitetit çoi në delegjitimimin e Ministres së Arsimit dhe po të shkarkohej vetëm ajo, rrjedhimisht duhet të binte dhe ligji. Po të binte ligji, ku Rama ka investuar gjithë kapitalin e vet politik, do të binte edhe qeveria.”- thotë Bislimi.
Ai konfirmon se rezistenca do jetë shumë e madhe dhe se vullneti i studentëve do e mposhtë arrogancën edhe indiferencën e kryeministrit karshi studnetëve.

Nga ana tjetër kryeministri Rama këmbëngul se qeveria i ka plotësuar 8 kërkesat zyrtare të studentëve dhe habitet pse ata po vazhdojnë rezistencën duke aluduar se pas tyre qëndrojnë forcat politike të opozitës që po i keqinformojnë për të prishur mësimin.
Por studentët thonë se janë të bindur për të luftuar dhe do të rezistojnë deri në rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë