Lajme

Bllokimi i fakulteteve, Braçe: Boll me dhunë, s’vrasim si ideologu

Bllokimi i disa fakultete të universiteteve sjell reagimin e parë të qeverisë. Zv.kryeministri i dekretuar, Erjon Braçe me anë të një postimi në Facebook e ka cilësuar aktin më të fundit të studentëve, si dhunë, e ndikuar sipas tij nga PD dhe LSI.

“Dhunë e vjetër sa dy partitë-njëra e stërvjetër dhe tjetra e kthyer e vjetër shume shumë shpejt, ushtarët e të cilëve kane shpërthyer në dhunë brenda shkollave. Dhuna nuk ka lidhje me shkollën, madje nuk ka lidhje me as me procesin mësimor. Dhuna tani ka lidhje me Pushtetin. Tetë kërkesat janë tejkaluar prej ditësh të tëra dhe ju adresohen studenteve si zgjidhje edhe më të gjëra se sa u kërkua. Por dhuna nuk ka lidhje me to; dhuna nuk donte zgjidhje që në nisje. Dhuna është instrumenti i këtyre për tek pushteti banal që duan të rikthejnë. E mbani mend; Ishte dhe rikthehet në Vitrinën e Kristaltë ku shkëlqente sistemi i tyre i arsimit të lartë, banal dhe i korruptuar, kriminal.!”, shkruan Braçe në Facebook.

Për zv.kryeministrin e ri, studentët po kërkojnë një konflikt me qeverinë, por nuk kanë për ta arritur atë. “Boll me Dhunë. Hapni Shkollat. Konfliktin që po e kërkoni me çdo kusht, nuk do ta gjeni. Ne as rrahim e as vrasim kënd siç ideologu i dhunës beri po në Janar! Hiqni dorë nga dhuna mbi institucionet dhe të ndryshmit nga ju kudo, duke nisur nga shkollat; Hapni shkollat për studentet që duan mësimin!”, mbyll Braçe reagimin e tij.

Ndërkohë që edhe kryeministri Edi Rama reagoi nëpërmjet një statusi në Twitter duke i kërkuar falje studentëve për bllokimin e mësimit në fakultetet e universitete.
“U kërkoj ndjesë e mirëkuptim studentëve e prindërve,që përmes mijëra mesazhesh ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit. Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj Universitetit. Kjo maskaradë s'do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët”, shkruan kryeministri.
Më tej kreu i qeverisë thekson se të gjitha universitetet kanë dorëzuar listat e studentëve për të cilat që do të përfitojnë nga ulja e tarifave.
“Universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen tonë financiare, sipas Vendimit të Qeverisë. Ministria e Financave ka nisur sot punën për të realizuar alokimin e fondeve në çdo universitet, student për student”, mbyll reagimin e tij Rama.

Ndërsa bëri të ditur se nesër është gati për prezantim publik portali i Programit të ri Kombëtar të Punësimit në administratë të studentëve më të mirë. Sipas tij ky program është një nga risitë e reflektimit mbi protestën, i cili na çoi shumë përtej 8 kërkesave. Rama e mbyll statusin me shprehjen “Qentë le të Lehin ne do shkojmë së bashku përpara”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1083323757937205248

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë