Kosova

Protesta e serbëve, Kryetari i Komunës së Mitrovicës apelon për qetësi

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion antikontrabandë në veri të vendit, ku ka konfiskuar mallra pa etiketa të Republikës së Kosovës.

Menjëherë reagimi i serbëve lokalë ka prodhuar një protestë, e cila është shpërndarë nga policia, raporton “Zëri”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë thirrje te qytetarët e tij që të mbajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

"Pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës dhe Njësisë Speciale në veri të Mitrovicës, i cili ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit dhe ende është duke u zhvilluar, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, apelon për pjekuri dhe maturi te qytetarët të mos bien pre e provokimeve dhe çfarëdo situatave të pakëndshme, të ruajnë gjakftohtësinë dhe assesi të mos bëhen pjesë e aksioneve, të cilat do ta stabilizonin sigurinë, por të veprojnë vetëm në bazë të udhëzimeve të Policisë së Kosovës", ka thënë Bahtiri.

Policia e Kosovës ka lëshuar edhe një komunikatë për media, ku ka treguar se në këtë aksion janë bastisur bizneset ku ka pasur mall të kontrabanduar.

"Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme, të cilat shërbejnë si prova materiale", thotë ndër të tjera Policia, teksa aksioni, përveç Mitrovicës së Veriut, është zhvilluar edhe në Pejë, Prishtinë e Mitrovicë të Jugut. (Zeri)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë