Ngjarje

Protesta e pedagogëve, Kovaçi: Nuk pranojmë as nëse na e rrisin pagën 25%. U qëndrojmë kërkesave tona

Ndërkohë që në ambientet e Universitetit Politeknik po mbahej protesta pedagogëve, e paralajmëruar që prej 15 shtatorit, Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë një takimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës se paga e pedagogëve do të rritet me 7% ndërsa pjesa tjetër do të kryhet në bazë të meritave dhe performancës së tyre.

I pyetur nga Gazetasi.al pas përfundimit të protestës, kryetari i Sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se kjo nuk merret fare parasysh nga pedagogët dhe as nuk do të ketë kompromise për kërkesat e tyre.

“Nuk bëjmë kompromis me kërkesën tonë. Kemi kërkuar 30% rritje dhe i qëndrojmë kësaj”, tha Kovaci duke shtuar se do të pranojë nëse u shtohen pika të tjera kërkesave të tyre, por asnjë pikë nga kërkesat nuk do të hiqet.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një komunikim për mediat rreth vendimeve të qeverisë tha se sot në Këshillin e Ministrave u mor vendimi që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15%, ku 7 % do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga universitetet.

Por Kovaçi tha për Gazetasi.al se rritje të tilla janë të pamjaftueshme dhe të papërfillshme, që as nuk do të merren parasysh.

“Jo 7% por edhe sikur 10, 15 apo 20% ta rrisë pagën ne nuk do pranojmë. Nuk duam më lëmoshë sepse kemi disa vite që kërkojmë të trajtohemi me dinjitet”, tha Kovaçi për Gazetasi.al.

I pyetur nëse e kanë mbështetjen e prindërve dhe studentëve për bojkotin e vitit të ri akademik në rast se nuk ka një marrëveshje, ai tha se kanë mbështetjen e plotë të të dyja palëve për aq kohë sa janë kërkesa minimaliste dhe janë në të mirë të të gjithëve.

Pjesë e protestës ishin pedagogë nga i gjithë vendi ku kishte dhe nga ato që kishin ardhur me shpejtësi, direkt pas provimeve.

“Kishim provime që po bëhen për një sezon të veçantë për të gjithë ato studentë që iu ka përfunduar dyfishi i afatit kohor të studimeve dhe menjëherë pas kësaj erdha këtu. Me një rrogë 600 mijë lek të vjetra nuk mbyll dot as muajin”, tha për Gazetasi.al një nga pedagoget pjesëmarrëse në protestë që vinte nga Durrësi.

Edhe pse kishte një përfaqësues të studentëve që foli në emër të të gjithëve duke dhënë mbështetjen e plotë të studentëve për pedagogët, vihej re një numër i vogël studentësh në protestë.

Disa nga studentët që ishin pjesë në protestë thanë për Gazetasi.al se një pjesë e studentëve që donin të merrnin pjesë në protestë janë nëpër rrethe dhe të tjerë thjesht nuk e shohin si protestë të tyren apo protestë që duhet të jenë pjesë.

Në protestë u përmend edhe njëherë “presioni” që u është bërë pedagogëve për të mos qenë pjesë e protestës.

“U kanë thirrur për mbledhje dhe u kanë dhënë detyra administrative për të mos qenë pjesë e protestës”, tha një nga përfaqësuesit e sindikatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë